Transmetuar më 27-12-2018, 17:40

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me strukturat e kësaj force politike në Gjirokastër.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi i bëri sërish thirrje anëtarëve të LSI që të palosin flamurin e partisë dhe të shpalosin flamurin kombëtar duke iu bashkuar protestës së studentëve. Sipas Kryemadhit, studentët i dhanë një mësim politikës shqiptare me anë të protestave.

“Studentët i kanë dhënë një dimension tjetër jetës politike dhe dimension tjetër i kanë dhënë edhe reagimit qytetar. Ata mbajnë zjarrin e protestës ndezur edhe pse janë me pushime. Ne kemi bërë thirrje që të palosni flamurin e LSI dhe të shpalosin flamurin kombëtar.

Protesta ishte një sinjal shumë i mirë, por për hir të vërtetës duhet të bëjë që të na vrasë ndërgjegjja. Studentët i dhanë një mësim politikës shqiptare, pasi thanë se nëse politikanët nuk reagojnë do reagojnë ata”, tha Kryemadhi.

Më tej ajo shprehu bindjen se, 30 qershori nuk do të jetë vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe atyre parlamentare.

“Mos hapja e negociatave për Shqipërinë ishte një sinjal shumë i keq. Nga gjithë informacionet që ne kemi e shikojmë që data 30 qershor do jetë ditë zgjedhje lokale e të përgjithshme”, tha Kryemadhi, e cila u shpreh se parlamenti është shpërbërë./b.l/noa.al/