Transmetuar më 27-12-2018, 13:19

Partia Demokratike denoncon se qeverisja e Edi Ramës është një dështim për arkën e parave publike, por jo për xhepin e miqve, klientëve dhe atyre me të cilët Edi Rama synon të blejë zgjedhjet, ku Safet Gjici është njëri prej tyre.

Këshilltari për ekonominë në PD, Dorian Teliti, tha se në 11 muaj, dështimi në mbledhjen e të ardhurave është spektakolar.

Po ashtu ai nënvizoi se buxhetit të shtetit i mungojnë 122 milionë dollarë, dëshmi kjo sipas tij, e krizës ekonomike të familjeve shqiptare dhe e abuzimeve korruptive në tatime dhe dogana.

Ai denoncoi se klientët me të cilët Rama mban pushtetin, nuk e ndjejnë krizën, sepse paratë që duhet të shkonin, për shembull për të financuar studimet dhe jetesën e studentëve në varfëri ekstreme ekonomike, i merr Safet Gjici, kandidati i përhershëm i Edi Ramës për Kukësin.

“Me aktin e fshehtë normativ, Edi Rama i ka shkurtuar investimet në arsim, por i ka dhënë Safet Gjicit 1.5 milionë dollarë për një punë, për të cilën ai nuk ka lidhur kontratë me qeverinë, por me Universitetin e Durrësit. Nëpërmjet kompanisë “Kevin Construction”, Safet Gjici ka lidhur kontratë prej 5 milionë dollarë me këtë universitet, i cili, sipas dokumenteve të tenderit, duhej të financohej plotësisht nga të ardhurat e vetë Universitetit. Në realitet është ndryshe. Në këtë rast qeveria është treguar plotësisht klienteliste. Në vend që të shlyejë rreth 240 milionë dollarë detyrime të prapambetura, të konstatuara nga FMN, qeveria e Edi Ramës mbush xhepin e Safet Gjicit me 1.5 milionë dollarë për një projekt ku ajo nuk ka asnjë detyrim”, u shpreh Teliti.

Ai shtoi se në Shqipëri janë me dhjetëra projektet që Universitetet kanë kontraktuar me kompanitë private, por Edi Rama ka përzgjedhur të financojë vetëm njërin prej tyre, atë të klientit Safet Gjici.

Po ashtu deklaroi se në 5 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, Safet Gjici ka marrë rreth 30 milionë dollarë tendera, shumicën e të cilëve pa garë apo me garë fiktive.

Ndër të tjera tha se, 30 milionë dollarë janë të mjaftueshme për të nisur ngritjen e një infrastrukture moderne, me auditorë, biblioteka dhe pajisje laboratorike për të gjithë universitetet e vendit.

“Qeveria ka detyrimin të përgjigjet sot përse, mes dhjetëra projekteve të tjera, ka përzgjedhur të financojë me 1.5 milionë dollarë vetëm kompaninë e Safet Gjicit, kandidatit të tij për Kukësin”, deklaroi në mbyllje Dorian Teliti. /a.y/noa.al