Transmetuar më 26-12-2018, 20:07

Përmirësohet gjendja e 23-vjeçarit Erjon Bengo , që mbeti i plagosur nga atentati me armë në Laprakë, pasditen e sotme.

Ai po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës, ndërsa Noa ka mësuar se i riu ka shfaqur përmirësim të parametrave jetësorë.

Nga ngjarja e rëndë ka humbur jetën 17-vjeçarja Griselda Gjikola e cila sapo hynte në makinë me 23-vjeçarin.

Ata u përballën me dy persona që dyshohet se ishin të maskuar me kapuç.

Më pas ndaj tyre është derdhur një karikator, plumbat e të cilit kanë prekur në kokë vajzën, dhe në shpatull e qafë djalin.

Ata janë larguar pa lënë gjurmë, të favorizuar edhe nga errësira, ndërsa vajza ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.

Një grup hetimor ndodhet në vendngjarje. Ata janë duke kontrolluar nëse ka kamera sigurie përreth për të parë pamjet nëse do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Momentalisht në zonën përreth Laprakës, por edhe më gjerë, ka një prani të shtuar policore dhe janë ngritur disa postblloqe. /k.k/noa.al/