Transmetuar më 24-12-2018, 10:11

Kryepeshkopi Anastas Janullatos, jep një mesazh për të gjithë shqiptarët me rastin e ditës së Krishtlindjes.

Në mesazhin e tij ai thotë se një pasiguri e përgjithshme është përhapur si re pluhuri bërthamor në mbarë shoqërinë e sotme, duke shkaktuar vështirësi shqetësuese në frymëmarrje dhe se shumë përpiqen të përballen me të duke akumuluar pasuri materiale të çdo lloji.

“Disa gjejnë strehë në ideologji të çuditshme fetare me origjinë aziatike. Me mënyra të shumëllojta njerëzit synojnë të fitojnë siguri. E kremtja e Krishtlindjes vjen që të na ofrojë antidotin e efektshëm kundër virusit të pasigurisë, të rigjallërojë në mendjen dhe në ndërgjegjen tonë një të vërtetë që shpesh harrohet se “Perëndia është me ne”. Pikërisht ky është kuptimi i emrit të Shpëtimtarit që po vjen: “Emanuel”. Fjala e Perëndisë “u bë mish dhe banoi ndër ne”, thotë Kryepeshkopi.

Më tej hirësia e tij shprehet se të gjithë e dinë se tronditja dhe pasiguria që helmojnë shoqërinë, mbahen në këmbë nga korrupsioni shumëformësh, të cilin e ushqejnë gënjeshtra, lakmia, egocentrizmi, arroganca.

“Pikërisht këto erdhi t’i përmbysë me praninë e tij, biri i bërë njeri dhe Fjala e Perëndisë. Bashkërendimi ynë me parimet që ai përcaktoi, përbën garancinë më të madhe për sigurinë e jetës sonë dhe, më gjerë, të shoqërisë”, thotë Janullatos në mesazhin e tij.

Sipas tij, ndërgjegjësimi për praninë e fjalës së mishëruar të Perëndisë shpërbën retë e pasigurisë, si dhe çdo frikë e shqetësim.

“Le ta presim me besë dhe dashuri të ripërtërirë. Le ta lartësojmë në mënyrë adhuruese mendjen dhe zemrën tonë,duke kundruar Fytyrën e Krishtit të Dashur. Dhe njëkohësisht, le të punojmë për ta njohur atë edhe njerëzit e tjerë, afër dhe larg nesh. Krishti ofron antidotin e efektshëm kundër shqetësimit që krijon virusi i pasigurisë. Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë i mbushur plot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës”, thotë në urimin e tij Kryepeshkopi Janullatos. /a.y/noa.al