Transmetuar më 21-12-2018, 12:55

Një adoleshente shqiptare e cila jeton me familjen e saj në Greqi, është përdhunuar në mjediset e një biznesi në qytetin bregdetar Volos, nga biznesmeni ku ajo po bënte stazhin.

Ngjarja ka shokuar komunitetin në Volos, raporton noa.al duke cituar reagimet e shumta në median vendase.

Biznesmeni 50-vjeçar, emri i të cilit nuk u bë i ditur publikisht, akuzohet se ka përdhunuar vajzën 17-vjeçare shqiptare e cila kishte shkuar në biznesin e tij për të bërë stazhin, e caktuar nga shkolla që ndiqte në qytet.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në tetor 2018, por vetëm ditët e fundit u mësua nga familja e të miturës.

Stazhi duhet të vazhdonte deri në fund të vitit, por vajza kishte vendosur të mos shkonte më.

Prindërit këmbëngulën të dijnë përse vajza nuk pranonte të shkonte sërish, por ajo kishte heshtur gjatë kësaj kohe.

Më në fund kishte arritur t’i hapej të ëmës duke i rrëfyer se si biznesmeni ku ajo po bënte praktikën mësimore, e kishte përdhunuar brenda ambienteve të kompanisë në Volos.

Policia lokale njoftoi dje arrestimin e 50-vjeçarit, kurse sot, gjykata në Volos dha masën e sigurisë së arrestit me burg pa afat. /noa.al/