Transmetuar më 21-12-2018, 11:49

Në ditën e shtatëmbëdhjetë të saj, studentët kanë vendosur që të mbyllin përkohësisht protestën ditën e sotme.

Në një komunikim për mediat, një përfaqësues i protestës tha se studentët e mbyllin përkohësisht atë, duke qenë se një pjesë e studentëve janë kthyer në familjet e tyre për festa.

“Një pjesë e mirë e studentëve janë të lodhur nga një protestë e gjatë, një pjesë i janë drejtuar familjeve, kështu që ne kemi vendosur ta mbyllim për momentin, por jo të mbyllim kauzën. Kauza është për gjithë studentët dhe për gjithë qytetarët”, deklaroi një përfaqësues i protestuesve.

Po ashtu të rinjtë kanë paralajmëruar rinisjen e protestave të fuqishme në muajin janar, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Sakaq një tjetër tha se policia dje në mbrëmje ka shoqëruar katër protestues dhe dy prej tyre janë dhunuar.

I njëjti tha se nuk do të heqë dorë nga protesta deri në plotësimin e kërkesave, duke shtuar se “Kush do të shkojë të bëjë pushim le të shkojë”. /a.y/noa.al