Transmetuar më 20-12-2018, 21:48

Bujar Nallbani ndodhet në një konflikt me ndërtuesen Vjollca Hoxholli, e cila i dhunoi pronën dhe i mori mallin. Në muajin Nëntor, emisioni “Stop” e trajtoi këtë problematikë të qytetarit, i cili thotë se dyqanin në katin e parë të pallatit e ka blerë në vitin 2015 plot 135 mijë Euro.

Por, në mungesë të tij, ndërtuesja Vjollca Hoxholli i kishte dhunuar pronën duke i ndërruar bravat dhe qepenin. Brenda dyqanit, Bujar Nallbani kishte edhe pajisje elektroshtëpiake me vlerë 10 milionë Lekë të vjetra, të cilat u morën nga ndërtuesja Hoxholli.

Për këtë çështje, qytetari Hoxholli njoftoi policinë, e cila nga ana e saj i referoi materialet në Prokurorinë e Tiranës. Çështjen e morën dy prokurorët Elio Mazreku dhe Kreshnik Ajazi, për veprat penale vetëgjyqësi dhe vjedhje.

Mirëpo, dy prokurorët pasi shqyrtuan padinë e bërë, vendosën që të pushonin çështjen me argumentimin se nuk ka vepër penale. Pas këtij vendimi, qytetari Bujar Nallbani shprehet i revoltuar me dy prokurorët në fjalë.

Bujar Nallbani: “Unë një gjë nuk kuptoj. Nëse të gjithë instancat shtetërore kontrollen, këta kush i kontrollon? U ngrit kjo KLP e famshme, të shikojmë se sa do funksionojë. Të gjithë njerëzit janë skeptikë. Po kështu funksionon sistemi gjyqësor?

Unë kam dhëndrin avokat në Belgjikë, në Bruksel. Dhe kur e pa emisionin tuaj investigativ më tha: ‘Ore si ka mundësi? Kjo vetëm për këtë gjë duhet të arrestohej që atë ditë’. Kësaj s’i hyn gjëmbi në këmbë sepse ka këta mbështetje. Ka këta të cilët i paguan, i rregullon. Dhe kur vjen puna, në fund fare dalin pa lagur të gjithë”.

Bujar Nallbani nuk mund ta pranonte vendimin e Prokurorisë për pushimin e çështjes që hodhi poshtë veprat penale të vetëgjyqësisë dhe të vjedhjes. Kështu, ai vendosi ta merrte vetë pronën që i përket me dokumente dhe ligjërisht, duke hapur qepenat dhe ndërroi sërish bravat. Ai dha edhe një mesazh për ndërtuesen Vjollca Hoxholli dhe dy prokurorët Elio Mazreku dhe Kreshnik Ajazi.

Bujar Nallbani: “Siç ata e klasifikojnë jo vepër penale këtë gjest që ka bërë kjo Hoxholli me heqjen e këtyre qepenave, ashtu dhe unë po heq çelësat e qepenave dhe po vë çelësat e mi dhe po marr pronën time të cilën e kam blerë me paratë e mia. Dhe po ja them troç që ta dijë mirë ajo dhe të gjithë ata që e mbështesin: Mos guxo të vësh dorë në pronën time më, sepse s’ka lindur bir nëne dhe zog kurve që të më marri pronën. Dhe sa për interpretimin e atyre dy prokurorëve, ju them përsëri me gjuhën e Kryeministrit: “What the fuck interpretimi juaj”?

Edhe pse pronën e tij e mori mbrapsht me të njëjtën mënyrë që ia kishte marrë ilegalisht ndërtuesja Vjollca Hoxholli, kësaj të fundit tani do t’i duhet që të kthejë edhe pajisjet elektroshtëpiake që i përkasin zotërisë të cilat i kishte brenda. Për prokurorët e çështjes, Bujar Nallbani pati edhe një mesazh të fundit: “I vraftë Vettingu këta njerëz. Vettingu se çfarë të them tjetër”.  /tvklan.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd