Transmetuar më 20-12-2018, 07:44

Shqipëria dëbon ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia. Largimi i tij nga vendi ynë vjen për cenim të sigurisë kombëtare.

Po ashtu krahas tij është dëbuar dhe shpallur “non grata” edhe një diplomat tjetër iranian, i cili punonte në ambasadë.

Mësohet se vendimi për shpalljen e diplomatëve iranianë si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.

Lidhur me këtë dëbim, ka reaguar këshilltari për sigurinë i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton.

“SHBA mbështet këtë vendim! Uashingtoni qëndron përkrah kryeministrit Edi Rama dhe popullit shqiptar të cilët morën një vendim të rëndësishëm kundër veprimeve të papërgjegjshme të Iranit në Europë dhe më gjerë në botë”, shkruan Bolton.

Sakaq sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo thotë se diplomatët iranianë, tentuan të kryenin sulme terroriste në Shqipëri.

Në vijim ai shton se në Europë, janë parandaluar tre sulme të mundshme, pas të cilave qëndronte Irani.

Edhe anëtarët e opozitës iraniane të njohur si muxhahedinë, të cilët strehohen në Shqipëri, e akuzonin ambasadorin Mohammadnia si agjent i shërbimeve sekrete iraniane, madje kanë denoncuar se prej tij jeta e tyre ishte në rrezik. /a.y/noa.al