Transmetuar më 19-12-2018, 17:54

Ka nisur pasditen e sotme protesta te “Unaza e Re” në Tiranë. Banorët janë vendosur në të dyja asket e rrugës pranë mbikalimit në këtë zonë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.

Protesta te “Unaza e Re” shënon ditën e 46, ndërsa banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre siç e parashikon plani për ndërtimin e aksit nga sheshi “Shqiponja”, te mbikalimi pranë pallatit me shigjeta. Banorëve të Unazës së Re iu bashkuan edhe ata të “Bregut të Lumit”, të cilët zhvilluan më herët një tjetër protestë.

Edhe gjatë kësaj të mërkure në mbështetje të tyre ka qenë edhe kryetari i PD-së, Llulzim Basha i cili iu ka bërë thirrje qytetarëve të dalin nesër në protestë e t’iu bashkohen studentëve. Ai kërkoi nga qytetarët të mblidhen tek Kuvendi dhe nga nesër të nisin rezistencën.

“Sot ju e keni parë se si plani urbanistik i Tiranës është ndryshuar nga Veliaj dhe është miratuar nga Edi Rama. Ndryshimi i këtij plani konsiston në ndryshimin e rrjedhjes së Lumit të Lanës. Në fakt është një bandë që nuk ka asnjë qëllim për vendin përveç grabitjes. Kjo është arsyeja pse këta njerëz janë në protestë.

Shqipërinë e konsiderojnë thejsht dhe vetëm si një koloni ku grabisin gjithçka dhe deri në palcë qytetarët. Nuk është vetëm një çështje tarifash. Është çështja e një sistemi të ngritur nga Edi Rama ku politikanë, kriminelë e pedagogët të korruptuar kanë në dorë fatin e 140 mijë të rinjve e qindra mijëra të tjerëve që do vijnë. Ata nuk mund të jenë peng i kësaj klike të korruptuar.

Megjithë këto të zeza që do kishin rrëzuar çdo qeveri europiane sot dua të ndaj me shqiptarët dy lajme të mira.

Nuk ka rrugë tjetër veç përballjes. E patë si ishte katandisur sot Edi Rama në Vlorë. E ka kuptuar se askush nuk ia blen më gënjeshtrat. Nuk e beson më askush. Kanë vendosur të mos negociojnë sepse e kanë kuptuar se ky o do përpiqet t’i blejë negociatorët ose do i mashtrojë. 60 mln euro është afera Veliaj-Bego.

E keni parë deklaratën e Lei Fenit? Planin urbanistik kush e ndryshoi. 200 familje të nxirren në rrugë që të pastroheshin 60 mln euro të drogës e krimit. Shteti ka rënë, gjykata kushtetuese ka rënë, prokuroria ka rënë. E vetmja rrugë është ajo e përballjes. Iu bëj thirrje qytetarëve të bashkohen nesër me studentët masivisht para Kuvendit. të nisim nga nesër rezistencën”, deklaroi Basha./b.l/noa.al/