Transmetuar më 18-12-2018, 19:11

Teksa protesta e studentëve ka hyrë në javën e tretë, Presidenti Meta ka apeluar klasën politike që të jetë më e përgjegjshme ndaj kësaj katëgorie të shoqërisë.

Gjatë fjalës së mbajtur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Migracionit, të zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM), që festoi 25-vjetorin e themelimit në Shqipëri, kreu i shtetit tha se të rinjtë meritojnë arsimim të mirë dhe punësim.

“Le të punojmë të gjithë së bashku për t’u dhënë më shumë besim, sidomos të rinjve, duke u krijuar atyre kushte dhe mundësi më të mira për arsimim dhe punësim, që të shprehin potencialet e tyre të vërteta në vend, por edhe potencialet e të gjithë vendit për një zhvillim më të shpejtë e më të qëndrueshëm”, nënvizoi në fjalën e tij Presidenti i Republikës.

Duke folur për emigracionin, Meta tha se “ne e kuptojmë fort mirë se migrimi ka të bëjë mbi të gjitha me jetën dhe dinjitetin njerëzor”.

“Ndaj të gjithë duhet të solidarizohemi, veçanërisht për të garantuar dinjitetin e atyre që largohen nga rreziqet reale në kërkim të azilit, të zonave më të sigurta, të një jete më të mire”, tha kreu i shtetit. /k.k/noa.al/