Transmetuar më 18-12-2018, 10:44

Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga akset kryesore rrugore të mbuluara nga dëbora, në zonat veriore dhe verilindore të vendit.

Bëhet me dije se patrullat e Policisë Rrugore janë të pranishme në këto akse së bashku me autoritetin rrugor, për të siguruar kalueshmerinë e mjeteve dhe për të rritur parametrat e e sigurisë në udhëtim.

Policia Rrugore kërkon nga të gjithë drejtuesit e mjeteve të rrisin vëmendjen në drejtimin e mjeteve në këto akse me prezencë dëborë dhe ngricë, të vendosin zinxhirët, kur kjo kërkohet nga patrullat e Policisë Rrugore.

Më tej thuhet se reduktimi i shpejtësisë, evitimi i përdorimit të pijeve alkoolike, vendosja e rripave të sigurimit, shmangia e parakalimeve të gabuara, ruajtja e distancës së sigurisë në udhëtim, janë këshillat e përhershme për më shumë siguri në rrugë dhe parandalim aksidentesh dhe ngjarje rrugore.

“Për çdo problematikë, shkelje të normave të sjelljes në trafik, mos hezitoni të telefononi në numrin 112, ose të dërgoni imazhe/pamje në aplikacionin “Komisariati Digital” Rregull i zbatuar- udhëtim i sigurt!”, thuhet në mbyllje. /a.y/noa.al