Transmetuar më 18-12-2018, 08:33

Pas protestës dy javore të studentëve Avokati i Popullit del me deklaratë. Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se prej dy vjetësh kërkon që të përgjysmohen ose të hiqen tarifat e studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, ata me aftësi të kufizuara dhe invalidët.

Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit deklaron se ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre.

“Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018”, thuhet në qëndrim.

Më tej nënvizohet se Ministria e Arsimit, Universiteti i Tiranës në pothuajse të gjithë fakultetet e tij, e po ashtu edhe Universiteti i Elbasanit kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit me anë të të cilave është kërkuar zbatimi i politikave sociale që të bëjnë të mundur përjashtimin ose përgjysmimin e tarifave për këto kategori studentësh.

Pothuajse të gjitha kërkesat dhe rekomandimet që Avokati i Popullit ka dërguar pranë këtyre institucioneve gjatë dy viteve, kanë marrë përgjigje sipërfaqësore, të përgjithshme dhe pa asnjë angazhim konkret.

Në disa raste, thuhet se kërkesat janë injoruar plotësisht dhe vetëm në dy raste individuale është marrë në konsideratë ulja e tarifës për studentët ankues.

Deklarohet se nuk ka pasur një qëndrim pozitiv nga ana e institucioneve për të miratuar një politikë të qëndrueshme në lidhje me këto grupe vulnerabël të shoqërisë në linjë me të drejtat e tyre të miratuara në ligjet specifike që rregullojnë të drejtat e tyre.

Avokati i Popullit apelon që të marrë fund praktika e neglizhimit të rekomandimeve që ky institucion bën, pasi thotë se përvoja e viteve të fundit dëshmon se në çdo rast që ka pasur neglizhime të tilla nga ana e autoriteteve tona përgjegjëse, pakënaqësia e qytetarëve në një kohë të dytë u ka dhënë të drejtë pretendimeve tona.

Gjithashtu, institucioni i Avokatit të Popullit u kërkon autoriteteve arsimore që sa më parë të dëshmojnë me veprime konkrete vullnet për plotësimin e atyre rekomandimeve të dërguara nga Avokati i Popullit në lidhje me kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë.

Në mbyllje të qëndrimit thuhet se Institucioni i Avokatit të Popullit i përkrah kërkesat e studentëve që kërkojnë akses dhe kushte më të mira për arsim, duke bërë thirrje që të rishikohet me përgjegjësi sociale i gjithë kuadri ligjor i sistemit tonë të edukimit, për të garantuar që e drejta për arsim cilësor për të gjithë qytetarët tanë pa asnjë dallim, të jetë përgjithmonë e garantuar. /a.y/noa.al