Transmetuar më 17-12-2018, 21:35

Pavarësisht reshjeve intensive të shiut, një grup studentësh vazhdojnë qëndresën përpara Kryeministrisë në ditën e 13-t. Një prej studentëve, i dalluar jo pak në protestë me fjalimet e tij dhe një skafandër në kokë, tha për Ora News se do të qëndrojë deri në fund aty.

"Ne nuk dorëzohemi. Ne do të qëndrojmë këtu. Këta po përpiqen të na ndalin. Nuk na lënë as dru, as zjarr për t’u ngrohur. Kam 10 orë që nuk jam larguar nga protesta dhe do të vazhdoj të qëndroj këtu. I bëj thirrje studentëve ditën e nesërme që të bashkohen këtu", u shpreh studenti.

Ai ka vijuar më tej duke thënë:

"Ne do të ngremë Shtabin e Studentëve. Boll më. Këta nuk mund të tallen. Ne qëndrojmë këtu me këmbët e lagura por me shpirtin e pastër. Nuk jemi të politizuar. Po të ishim të politizuar do të kishim tenda mbi kokë. Kanë filluar të na bojkotojnë. Të tëra partitë politike pasi u përpoqën ta vidhnin kauzën e studentëve, ne nuk lejojmë askënd që ta mbyllë këtë kauzë madhore".