Transmetuar më 17-12-2018, 17:48

Mesditën e sotme ashtu siç e kishin paralajmëruar më herët, studentët protestues të stacionuar tek Kryeministria, u ndanë në tre grupe, ndërsa në shenjë përshkallëzimi bllokuan tre pika kyçe në Tiranë.

Disa prej protestuesve u nisën drejt Bankës së Shqipërisë, disa të tjerë tek Zogu i Zi dhe disa të tjerë tek kryqëzimi afër Kryeministrisë.

Pavarësisht thirrjeve, ata kanë nënvizuar faktin se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.

Por kur kanë kaluar rreth tre orë studentët kanë zhbllokuar qarkullimin e automjeteve tek ‘Zogu i Zi’. Një grup studentësh kishin bllokuar rrugën që prej orës 14:00 të ditës së sotme në shenjë proteste.

Pas zhbllokimit të qarkullimit të makinave, studentët i janë drejtuar Kryeministrisë, aty ku po protestojnë prej 13 ditësh për plotësimin e 8 kërkesave të tyre.

Më herët kryeministri Rama reagoi përmes një postimi në Twitter, ku pyeti me ironi studentët që sipas tij i ka mësuar kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe kreu demokrat Lulzim Basha që të bllokojnë rrugën, duke u shprehur se "çfarë borxhi i kanë qytetarët".

"A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë Doktoresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”, shkruan Rama.

Ndërsa studentët iu përgjigjën se dialogu nuk bëhet nga Instagrami ndërsa kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

“Rama të plotësojë kërkesat. Nuk bëhet dialog me instastory. Dialog nuk ka dhe të gjithë studentët janë bashkë. Do bllokohen të gjitha rrugët në mënyrë paqësore. Protesta do vazhdojë kështu siç është deri në plotësimin e gjithë kërkesave tona”- shprehet një studente./b.l/noa.al/