Transmetuar më 16-12-2018, 08:45

Ngjarja e bujshme në ish-Bllok, ku mbeti një person i vrarë, vazhdon të shkaktojë zhurmë në median shqiptare, pikërisht për arsyen e fortë të përfshirjes së emrit të këngëtares Elvana Gjata.

Ndërkohë që teza të ndryshme qarkulluan në publik, në lidhje me dëshminë e saj, apo largimin e menjëhershëm nga Shqipëria, tashmë sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, artistja e njohur ka mbërritur në Tiranë dhe ka dhënë versionin dhe dëshminë e saj për ngjarjen e bujshme në ish-Bllok të ndodhur pak javë më parë.

Por, ndërkohë që kjo është situata për të cilën emri i Elvana Gjatës po përmendet më shumë se kurrë në media, fansat e shumtë të muzikës së saj dhe dashamirësit e këngëtares presin me padurim rikthimin e saj të fuqishëm në muzikë.

Më në fund një lajm i mirë për të gjithë admiruesit e Elvana Gjatës. Këngëtarja do të rikthehet në fillimet e vitit të ardhshëm me një super tur muzikor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kanalin zyrtar të artistes në ‘YouTube‘, kanë filluar të shiten biletat për koncertet që pritet t’i mbajë Elvana më 3 dhe 6 maj të vitit 2019, në Neë York dhe Filadefia.