Transmetuar më 14-12-2018, 10:10

Një operacion antidrogë ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta, duke vënë në pranga dy persona.

Operacioni u zhvillua nga policia e Korçës mbrëmjen e kësaj të enjteje, gjatë të cilit u zbulua heroinë, kanabis dhe metadon si dhe municione luftarakë.

Të arrestuarit janë Marsel Xhakollari, 34 vjeç i dënuar më parë për “Vjedhje” dhe Ledion Metollari, 36 vjeç, i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë”, të dy banues në Korçë.

Gjatë kontrollit trupor që policia ka ushtruar ndaj Metollarit mbrëmjen e djeshme, e enjte, në lagjen nr.6, në hyrje të banesës së Xhakollarit, iu gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë.

Gjithashtu në banesën e Xhakollarit, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 423.8 gramë lëndë e dyshuar si narkotike heroinë, nga e cila 109 copë e ndarë në doza, 19 tableta metadoni, një sasi lënde narkotike kanabis sativa, 45 copë fishekë me mbishkrim E dhe një peshore elektronike.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, teksa materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës. /a.y/noa.al