Transmetuar më 14-12-2018, 09:13
Fabio Allushi

Një nga personat e shpallur në kërkim, për vrasjen e ndodhur më 4 tetor në një lokal në zonën e ish-Bllokut, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën, është vënë në prangat e policisë.

Gjatë kësaj të enjteje është arrestuar 42-vjeçari Fabio Allushim, i cili është shoku i të dashurit të këngëtares Elvana Gjata, Ervin Mata.

Allushi dhe Mata kanë qenë bashkë në momentin e krimit, ndërkohë që akuzohet për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sakaq në vijim të hetimeve është marrë në pyetje dhe babai i 42-vjeçarit, Vath Allushi.

I moshuari ka thënë se nuk dinte gjë rreth krimit dhe se të birin kishte një javë pa e takuar para mbrëmjes së krimit, madje nuk i ka numër telefoni.

Në lokalin në rrugën “Ibrahim Rugova” në ish-Bllok më 4 tetor, u plagosën me armë zjarri Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë Fabian Gaxha, 28 vjeç.

Uniformat blu bënë arrestimin në flagrancë të dy të plagosurve dhe shpalljen në kërkim tre të tjerë. Të shpallurit në kërkim janë Ervin Mata, 31 vjeç, Mervjol Bilo, 41 vjeç, banues në Tiranë dhe Eldi Dizdari, bashkëshorti i ish-Missit Suada Sherifi. /a.y/noa.al