Transmetuar më 13-12-2018, 17:25

Ndërsa studentët vazhdojnë protestën e tyre në ditën e 9-të para Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama në një takim me dekanë dhe rektorë të Universiteteteve deklaroi se kërkesa për pagesën e krediteve të lëndëve të mbartura është përgjegjësi e universiteteve dhe jo e qeverisë. Ai kritikoi ata se nuk kanë vënë në dijeni studentët për VKM, e cila është miratuar që në muajin maj të këtij viti.

“Një pjesë e atyre pikave iu takojnë universiteteve. Iu takojnë juve bazuar në ligjin për arsimin e lartë. Më vjen mirë , që flitet e fundit disa senate janë vënë në lëvizje dhe më vjen keq që kanë adresuar disa deklarata hipokrite. Përpara se sa të hynim në këtë fazë, protesta nisi me një shkak konkret lidhur me një tarifë. Tani, tarifa e provimeve të mbartura është një tarifë e kërkuar nga ju dhe ju këtë as s’mund ta mohoni dhe nuk mund të bëni sikur e keni harruar kur ajo bëhet problem. Ministrja e arsimit në të gjitha rastet ka kërkuar konsensus mes jush”, u shpreh Rama.

Më tej ai shtoi se “Nuk hyj në meritën e atij vendimi se si dhe ku e keni marrë. Ai vendim që është marrë në maj nuk ka qenë i ditur për studentët dhe është njësoj si Kuvendi të kalojë një buxhet dhe nje paketë fiskale ta kalojë pa e bërë të ditur dhe sheti ti shkojë në shtëpi për ti thënë bjeri këto para se mi ke detyrim”.

Rama deklaroi se një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i protestës është korrupsioni në universitete. “Aspekti tjetër i protestës përbën shqetësimin më të madh që lidhet me frustrimin e tmerrshëm që kanë studentët për korrupsionin në universitet. E para, protesta nisi me një shkak konkret lidhur me një tarifë.

Tarifa e provimeve të mbartura është një tarifë e kërkuar nga ju dhe nuk mund ta mohoni. Mos mendoni se kam ardhur këtu për të shkarkuar përgjegjësitë e qeverisë. Në leximin tim, protesta e studentëve është një shuplakë për qeverinë, grusht për opozitën dhe shpresë për shoqërinë”, shtoi Rama.

Kryeministri iu ka folur me tone të ashpra drejtuesve të universiteteve duke vënë madje në diskutim autonominë e institucioneve të arsimit të lartë publik. Ai tha se drejtuesit e universiteteve duhet të marrin vetë një pjesë të përgjegjësisë, duke u ndalur dhe në kërkesat konkrete të studentëve.

“Të çohen në protestë studentët e universitetit dhe të kërkojnë publikimin e buxheteve dhe shpenzimeve online është fundi. Dhe kjo të rReshtohet tek kërkesat që i bëhen qeverisë, ndërkohë që kjo është jo ‘A’-ja, se “a”-ja mësohet kur shkon në shkollë, por është e para gjë që i bëhet fëmijës kur vjen në jetë. Ja si janë buxhetet, ja si shpenzohen.

Disa i kanë, por njerëzit nuk i dinë. Mos mendoni se kam ardhur të shkarkoj përgjegjësitë. Por një gjë dua t’ju them se në leximin tim, protesta e studentëve është një shuplakë për qeverinë, një grusht për opozitën, një shpresë për opinionin publik. Se çfarë është për ju, duhet ta gjeni vetë, s’më takon mua tua them”, tha kryeministri./b.l/noa.al/.