Transmetuar më 13-12-2018, 13:42

Presidenti Ilir Meta, kthen për rishqyrtim në Kuvend, ligjin për buxhetin e vitit 2019.

Kreu i shtetit duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij.

“Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”, thuhet në deklaratë.

Në këtë mënyrë i hapet rrugë mundësisë së amendimeve në ligjin për buxhetin e shtetit.

Kësisoj hapet mundësia për shtimin e buxhetit në sektorin e arsimit dhe plotësimi i kërkesave të studentëve.

Kujtojmë se në seancën e sotme parlamentare, Rama përmendi se ndërhyrja në buxhet nuk mund të bëhet për sa kohë që kreu i shtetit nuk ishte shprehur për buxhetin e vitit që vjen./a.y/noa.al