Transmetuar më 13-12-2018, 11:01

Teksa studentët janë mbledhur para parlamentit në ditën e nëntë të protestës së tyre, Kryeministri Edi Rama nga foltorja e seancës parlamentare, këmbëngul për dialog.

Ai thotë se protesta është shuplakë për të hapur sytë më shumë për të parë se çfarë ndodh brenda universitetit.

“Jam i gatshëm këtu dhe kudo ku studentët duan që të diskutojnë me ta, jo për to torollisur, as për ti futur në rrugë pa krye dhe as për të mbyllur protestën, se unë nuk dua të mbyllet protesta. Se protesta i ka rrënjët shumë thellë tek burimet e sëmundjes së universitetit. Këtu nuk bëhet fjalë për kilogramë mish apo arka me mollë, por për të hapur një proces që nis nga këto pika. 8 pikat ne jemi gati ti plotësojmë një për një”, u shpreh Rama.

Por duke iu drejtuar opozitës, ai shtoi se ata që erdhën si përfaqësues të opozitës të maskuar dhe të hedhur në ilegalitet, nuk ka mundësinë që të dalin të mbështesin një protestë studentore se në momentin që e mbështet e njollos.

Ai tha se është një opozitë që vrapon për tu futur mes jelekëve portokalli te Astiri se nuk ka kurajo ti thotë popullit se “jam me studentët, se e ha mbrapsht flakërimën”.

Rama deklaroi se pyetja është çfarë fshihet pas bllokimit të dialogut, pas gjithë asaj propagande të shfrenuar që investohet nga ndërmarrja e “doktoreshës dhe nga SHQUP-i këtu dhe nga ai profesor qorri, në asnjë mënyrë dialog”.

Sipas tij, opozita kërkon që këto pika të mos zgjidhen dhe për këtë arsye tha se shpërndante mesazhet që të martën pas pushimeve ose do iki qeveria ose do digjet Tirana.

“Kjo është dhe arsyeja se pse unë refuzoj që këto 8 pika ti plotësoj si të jetë porosi për dyqan. Pikat nuk janë vetëm çfarë, por janë edhe si. Si do përgjysmohen tarifat? Dhe në momentin që do fillojmë te si-ja do vihet në lëvizje gjithë industria e manipulimit. Nuk është vetëm çështja duam apo s’duam të pastrohen titujt bazuar mbi korrupsion, kopje dhe mashtrime, por më shumë se kaq”, deklaroi Rama.

Ai tha se nuk mund t’iu thotë po studentëve për kërkesat, pasi publikimin për shpenzimet do e bëjë çdo universitet, ndaj nënvizon se dëshiron që ti shikoj në sy studentët kur të diskutohet.

Sipas kreut të qeverisë, opozita i druhet zgjidhjes, pasi nëse shkohet përtej tetë pikave, atëherë do të jetë fundi i tyre. Por Kryeministri deklaroi se të teta pikat janë të realizueshme dhe qeveria është gati që ti realizojë. /a.y/noa.al

“Studentët”, Rama: Protesta i dha shuplakë qeverisë, grusht opozitës! Zgjidhja vetëm dialogu

Studentët bëhen bashkë në protestë para Parlamentit, Kushtetutë dhe libra në duar