Transmetuar më 12-12-2018, 08:27

Një masakër e vërtetë është bërë në tregun e Krishtlindjeve në Strasburg, ku 3 persona kanë mbetur të vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur.

Atentatori, i cili dyshohet se është plagosur gjatë përplasjes me armë me policinë, është 29-vjeçari Cherif Chekatt, në ndjekje të së cilit janë vënë me qindra efektivë policie.

Një nga viktimat e masakrës së mbrëmjes së djeshme, e martë, në Francë, është një turist tajlandez 45 vjeç, ndërkohë që gruaja e tij është mes të plagosurve.

Duke rindërtuar ngjarjen bëhet me dije se duke nisur nga ora 19.50 e mbrëmjes së djeshme, vrasësi hapi zjarr, dhe se nga ora 20.20 deri në 21.00, atentatori shkëmbeu dy herë zjarr me policinë.

Por pavarësisht kësaj, i dyshuari arriti që të arratisej. Dyshohet se atentatori nuk ka vepruar i vetëm, por se e ka ndihmuar edhe një i dyshuar i dytë.

Ndërkohë në shtëpinë e 29-vjeçarit, autoritetet franceze kanë gjetur material eksploziv.

Vrasësi i dyshuar edhe më parë rezulton i skeduar për agresion, ndërkohë që rezulton si element i radikalizuar i cili kërcënon sigurinë e Francës.

29-vjeçari është me origjinë nga Afrikano-veriore, por ka lindur në Strasburg. /a.y/noa.al