Transmetuar më 11-12-2018, 16:27

Ashtu si një ditë më parë edhe këtë të martë kanë vijuar protestat edhe në rrethe. Qytetarët e Milotit dhe Kurbinit kanë bllokuar Rrugën e Kombit, ndërsa protestojnë kundër qeverisë për uljen e taksave.

Me pankarta në duar ata lëshojnë thirrje kundër qeverisë, ndërsa protesta ka përmbajtje ekonomike.

Shumë prej tyre janë familjarë që kanë një biznes të vogël, duke lëshuar edhe thirrje ‘Rama ik, Rama ik!’. Protestuesit kërkojnë uljen e taksave, përfshi këtu uljen e çmimit të karburantit dhe atë të energjisë.

Mësohet se protestë paralelisht po zhvillohet edhe në Dibër, ku banorët kanë bllokuar rrugën. Protestuesit pohojnë se nuk do të tërhiqen.

Përmes një faqeje të hapur në fb, me thirrjen "Eja protesto për naftën!" janë ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë të protestojnë mbi çmimin e naftës dhe cilësinë me të dobët në rajon.

Protestat në rrethe:

Vlorë-Ndërkohë protesta janë zhvilluar edhe në Vlorë, ku është bllokuar edhe autostrada Levan-Vlorë.

Fier-Infermierët protestojnë pasi kërkojnë rritje rrogash. Fermerët pasi nuk kanë marrë dëmshpërblimet e përmbytjeve. Naftëtarët protestojnë pasi nuk kanë marrë akoma statusin, ndërsa prindër e studentë kërkojnë ulejn e tarifave.

Në Korçë dhe Devoll, përveç rritjes së çmimit të karburantit fermerët kanë hedhur prodhimet bujqësore në tokë, si shenjë proteste për mos shitjen e prodhimeve të tyre.

Durrës-Qytetarë të shumtë kanë bllokuar rrugën duke kundërshtuar çmimin e naftës.

Po ashtu protesta është thirrur të mbahet dhe të shtunën me 15 dhjetor, ora 11:00./b.l/noa.al/