Transmetuar më 10-12-2018, 16:01

Një pjesë e madhe e njerëzve vuajnë nga morthi gjatë muajve të ftohtë. Për të gjithë ju që nuk e dini, morthi shfaqet kryesisht në gishtat e duarve dhe të këmbëve, por edhe në veshë, hundë dhe faqe duke shkaktuar enjtje, dhimbje, skuqje dhe kruarje.

Nga morthi vuajnë njerëzit që kanë qarkullim të dobët të gjakut dhe ai favorizohet nga temperaturat e ulëta dhe lagështia e ajrit.

Kurimi i kësaj patologjie nuk është aspak i thjeshtë, prandaj nëse edhe ju vuani prej saj, është mirë ta parandaloni duke u kujdesur që duart dhe zonat që preken nga morthi të qëndrojnë të ngrohta.

Ka disa mënyra natyrale për ta luftuar atë, si për shembull: masazhimi me vajëra bimorë, lëngu i limonit, i selinosë dhe ai i qepës ose fetat e patates, të cilat sugjerohet të vendosen në duar.

Lëng limoni

Limoni është i mirë pothuajse për çdo gjë, madje edhe për morthin dhe plasaritjet. Mes ilaçeve më natyrale për këto raste është ai që të lyeni gishtat e këmbëve dhe të duarve me lëng limoni.

Lëng selinoje për mjekim

Ju duhet të zini disa gjethe selino në një gjysmë litri ujë për rreth një orë. Pasi të merrni lëngun e përftuar nga kjo zierje lëreni atë të ftohet dhe pjesët që i kini të prekura nga morthi lyejini dy apo tri herë në ditë.

Patatja

Janë një nga “ilaçet” më të praktikuara për të lehtësuar skuqjet e shkaktuara nga djegiet e diellit. Por janë edhe shumë të dobishme edhe në rastin e lëkurës së irrituar nga i ftohti dhe nga lagështia, morthi. Aplikimi i tyre është shumë i thjeshtë: merrni feta patatesh dhe vendosini ato te pjesët me probleme: veprimi kurues do të kuptohet nga dalja e niseshtesë së zhardhokut në këto pjesë./b.l/noa.al/