Transmetuar më 10-12-2018, 07:41
Kreu i SHISH, Helidon Bendo

Shërbimi Informativ i Shtetit, reagon lidhur me lajmin e publikuar në media për nxjerrjen e informacionit sekret lidhur me agjentët e SHISH.

Në një deklaratë zyrtare, thuhet se “Lajmi për publikimin e informacioneve sekrete të SHISH është i pavërtetë. SHISH deklaron se e trajton informacionin e klasifikuar në bazë të rregullave ligjore dhe në përputhje me standardet e NATO-s dhe BE. Me keqardhje nuk mund të bëjmë asnjë koment më shumë”.

Gjithçka pas publikimit nga britanikja ‘The Telegraph’, ku thuhej se Shqipëria ka publikuar informacione konfindenciale lidhur me të dhënat sekrete të pjesëtarëve të SHISH.

“Shqipëria, vend i NATO-s, po publikon informacione të ndjeshme në internet në lidhje me operatorët e tij më të lartë të inteligjencës, duke dhënë detaje rreth identitetit të tyre, automjeteve, roleve operacionale, lëvizjeve të udhëtimit dhe zakoneve të përditshme në dispozicion të publikut, në atë që duket se është një shkelje e madhe dhe potencialisht e rrezikshme dhe që mund të ketë pasoja ndërkombëtare”, thuhet në artikull.

Më tej shtohet se të dhënat e pagave dhe të shpenzimeve të vendosura në fletëpagesat në faqen e internetit të Ministrisë së Financave të Shqipërisë tregojnë të dhëna të hollësishme mbi Shërbimin Informativ Shtetëror, duke përfshirë vendndodhjet e zyrave në terren, tërheqjet e parave dhe detajet siç janë teknikat dhe mekanizmat që përdorin.

Në vijim të artikullit nënvizohet se të dhënat tregojnë emrat dhe numrat e kartave të identifikimit të agjentëve në shërbim, të njohur në nivel lokal dhe në komunitetin e inteligjencës si SHISH, që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë dy me poste të ndjeshme në selinë e NATO-s në Bruksel. /a.y/noa.al

Media britanike: Shqipëria publikon informacione sekrete për pjesëtarët e SHISH