Transmetuar më 09-12-2018, 09:56

Gjatë protestës së tyre disa ditore ku kërkojnë uljen e tarifave të studimit, studentët kanë nxjerrë edhe emra pedagogësh të cilët i akuzojnë për korrupsion dhe ryshfet.

Mes tyre përmendet edhe emri i pedagogut Kledi Xhaxhiut, i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Në një deklaratë publike ai thotë se në rast se konstatohet qoftë edhe një rast i vetëm ku të jetë i përfshirë në një aferë korruptive, jep menjëherë dorëheqjen nga pozicioni që mban.

“Prof. Dr. Kledi Xhaxhiu

Konstatova se paturpësisht dhe me keqdashje është përbaltur emri im ne protestën e sotme të studentëve! Gjithkush me të cilin kam punuar qoftë në FSHN apo edhe ne Politikë (si Zv. Ministër në Ministrinë e Mjedisit) e njeh ndershmërinë e punës sime! Kjo përbaltje e cila ka për synim të vetëm dëmtimin e figurës sime morale dhe profesionale, vjen nga dy faktorë:

– Xhelozia e disa prej kolegëve të paarrirë të cilët nuk gjejnë formë tjetër për të me dëmtuar përveç shpifjes dhe gënjeshtrave.

– Goditja politike, si ish pjesëtar i kësaj qeverie, të cilën unë e kam mbështetur dhe do të vazhdoj ta mbështes.

Ftoj Prokurorinë që të merret sa më shpejt me hetimin e këtij sulmi të paprecedent ndaj të drejtës themelore të personit për ruajtjen e dinjitetit dhe integriteti të tij moral dhe profesional.

Deklaroj se në rast se konstatohet qoftë edhe një rast i vetëm ku unë të jem përfshirë në një aferë korruptive, jap menjëherë dorëheqjen nga pozicioni që mbaj, në të kundërt, të të gjithë ata që janë përfshirë në këtë përbaltje të mbajnë përgjegjësi morale dhe penale”. /a.y/noa.al