Aeroporti, turizmi dhe mendësia e biznesit
Transmetuar më 07-12-2018, 18:56

Nga Arlinda Çausholli

Jam rritur në Shkodër në kohëra jo fort të begata, ndaj kursimi ishte koncept i shenjtë. Mbaj mend që na vinin shpesh miq nga Tirana dhe gjyshja ime gatuante ëmbëlsirë vetëm ditën e parë kur ata vinin, dhe ditën e fundit kur iknin. Thoshte gjithmonë se hera e parë dhe e fundit mbahet mend nga vizitorët. Kështu që shpresoj që prezantimi im të kujtohet.

Dhe ndërkohë, një vijë paralele po e heq përbri kësaj që sapo thashë, sepse aeroporti ku unë punoj e që sot kam nderin të përfaqësoj, jep të njëjtën ndjesi për turistët që mbërrijnë në vendin tonë. Përshtypja e parë kur vijnë, dhe e fundit kur ikin. Pak si ëmbëlsira e gjyshes sime.

Çfarë po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës?

Rritet. Rritet në numër pasagjerësh. Me dy shifra.

Nga Janari deri në Nëntor 2018 numri i pasagjerëve është rreth 2,700,000 duke shënuar një rritje prej 13.2%, në krahasim me një vit më parë.

Fluturimet turistike janë rritur me 50 % nga qershori në shtator, e thënë ndryshe kanë hyrë thuajse 300.000 turistë nga Polonia, Ukraina, Norvegjia, Zvicra, Finlanda, Izraeli, Danimarka, Bjellorusia dhe Sllovakia.

Merita kryesore i shkon operatorëve turistikë shqiptarë dhe kurajës së biznesit për të organizuar këto fluturime, për t’i pritur dhe për t’i kënaqur siç duhet këta turistë me gjithë mangësitë që ofron realiteti shqiptar.

Ka qenë një vit unik edhe për të gjithë stafin e TIA-s sepse kolegët kanë përpunuar avionë dhe pasagjerë çdo 32 minuta këtë verë, e për këtë kanë gjithë vlerësimin tim, për aq sa mund të vlejë.

Vitin që vjen, krahas kompanive me kosto të ulët Wizz Air, Transavia, Pegasus Airlines që operojnë aktualisht në TIA, fillon fluturimet dhe Germania Airlines me destinacionet e Zyrihut dhe Duseldorfit.

Fluturimet turistike dhe destinacionet e reja promovohen nga TIA, mbështeten financiarisht, dhe kostoja e shërbimeve të tokës që atyre u ofrohet është në shifra minimale, për t’i dhënë krah operatorëve turistikë dhe zhvillimit të turizmit.

Çfarë ndodh tjetër në TIA?

Ka një perceptim jo të qartë do thoja, në lidhje me rolin e aeroportit në koston e një bilete fluturimi, ndërkohë që aeroporti as nuk shet bileta dhe as nuk përcakton çmimin e saj, por pavarësisht këtij perceptimi, jep besim, sepse konsiderohet si një nga kompanitë më serioze në trajtimin e punonjësve dhe vizionin që ka për ta. Më duhet të përmend këtu dhe Nivelin e Kënaqësisë së Klientit që është afër 80 % nga 100 %  i mundshëm, anketim vjetor që realizohet çdo vit nga kompani të pavarura dhe te specializuara.

Aeroporti promovon Shqipërinë

Numri i pasagjerëve është shumë afër shifrës 3.000.000 këtë fundvit, ose e thënë në mënyrë metaforike e gjithë Shqipëria ka kaluar këtë vit nga dyert e Aeroportit Nënë Tereza.

Aeroporti promovon Shqipërinë me etjen e një shqiptari që ka dëshirë që vendi i vet të zhvillohet megjithëse hapat e shoqërisë sonë janë të çrregullt, dhe jo fort largpamës. TIA e promovon Shqipërinë në panaire turistike ndërkombëtare, me kompanitë ajrore që shprehin interes dhe ecën përpara në fusha zhvillimi marketimi, që besoj, vitin që vjen do të marrin hov të vrullshëm.

I dimë çështjet që shqetësojnë të huajt dhe ne vetë. Papastërtitë në vende publike, rrugët ende ta pastrukturuara mirë, akomodimi i turistëve ende sporadik – ndonëse ka disa hapa optimistë – dhe më kryesorja, shërbimi profesional, për të cilin duhet synuar një strategji e strukturuar që në shkolla, që të kthehet në vokacion.

Por brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, çfarë ndodh?

Për t’u kthyer në fillim…

Aeroporti është një botë e vogël dhe e madhe njëkohësisht, nga ku kalojnë 8000 pasagjerë në ditë. Pra janë 8000 ambasadorë të Shqipërisë që shpërndahen nëpër botë, çdo ditë.

Në mes të këtij mjedisi të vrazhdë, ku jetojmë të gjithë dhe duke qenë jo fort të llastuar në komplimente publike, kemi zgjedhur një vizion – largpamës në këndvështrimin tonë – që nuk ka lidhje direkte me biznesin.

Quhet Vlerë.

Vlerë e një grupi njerëzish që punojnë me përkushtim ndaj të panjohurve që kalojnë në aeroport. Për të filluar nga të qenit fisnikë me të pamundurit – në muaj numërohen diku tek 1500 pasagjerë që udhëtojnë në karroca me rrota, e që e kanë të domosdoshëm kujdesin e infermierëve tanë – dhe për të vazhduar me krijimin e një modeli të nevojshëm në ditët tona, apo Ishulli të Mençur, ku krisja negative matanë fasadave të xhamit të TIA-s, merret, bluhet dhe kthehet në të mirë.

Pra, ridimensionojmë, atë çka ndodh jashtë dyerve të aeroportit.

Punojmë në dy kahe shumë të rëndësishme që kanë një shtyllë të vetme kurrizore dhe që quhet, kulti i individit, si gjëja më e shenjtë: Pasagjeri dhe Punonjësi.

Të dy janë dëshmitarë të faktit që aeroporti ka hapur dyert për artin, kulturën, arkitekturën, fotografinë, çështjet e ndjeshme sociale, për të rinjtë që nuk kanë zë, por që kanë talent.

Pak kush e di, për shtëpitë që TIA ka ndërtuar në zonë sepse ka njerëz të varfër, apo që është kujdesur për fëmijë apo njerëz të pamundur që mbështetjen mjekësore e kanë patur vitale. E vazhdon të kujdeset.

Sigurisht, këto janë përgjegjshmëri sociale që nuk kanë nevojë për pompozitet mediatik dhe përftuesit janë mjaftueshmëri e dhimbshme, por brenda nesh, në TIA, ndjeshmëria njerëzore, përpiqet, merr dritë çdo ditë, rritet e shëndetshme dhe është pa koncesion. Ky është thelbi ynë, dhe i asaj çka kemi zgjedhur të bëjmë.

Nga ana tjetër, Aeroporti mbetet bashkëpunues me të gjitha hallkat që përbëjnë turizmin shqiptar dhe jo vetëm, çdo progres është në të mirën e të gjithëve. E kemi nxitur këtë dhe do ta nxisim gjithmonë.

Vitin që vjen do të ketë investime në të gjithë infrastrukturën ajrore, në pistë, në rrugët lidhëse, vendqëndrimet e avionëve, në godinën e Shërbimit Zjarrfikës dhe godinës së policisë.

Është në plan një zgjerim tek pjesa e mbërritjeve, por lajmin do ta japim me detaje në një moment tjetër.

E së fundmi, por jo më pak e rëndësishme:

Aksionet e TIA-s kanë qenë gjermane, kanadeze, tashmë janë kineze, por Aeroporti shpirtin e ka shqiptar dhe në fund të fundit, ajo që pulson çdo ditë në TIA, si mendim dhe si veprim, është vlera njerëzore, dhe gatishmëria për të ndihmuar njeri-tjetrin në udhëtimin tonë. Dhe besojmë se Shqipëria, për këtë, ka nevojë më shumë se kurrë.

ENGLISH VERSION

NOA Sondazh