Gafa monumentale e Fatos Lubonjës
Transmetuar më 07-12-2018, 17:05

Nga Ilir Babaramo/ Fatos Lubonja duhet të jetë njeriu më I lumtur në Shqipëri. Ka filluar të ndodhë ajo çka ai ka predikuar prej vitesh. Protestat masive të studentëve kundër qeverisë përbëjnë goditjen e parë ndaj ngrehinës së kalbur të elitës shqiptare. Por protestat kundër Edi Ramës Lubonja I krahason me protestat e studentëve francezë  të plot gjysëm shekulli më parë kundër gjeneral Dë Gol. Kjo është një gafë monumentale. Të krahasosh Ramën me Dë Golin është sikur të krahasosh Ramën piktor me Van Gogun.

Eshtë qesharake të krahasosh gjendjen e Francës së para gjysëm shekulli me Shqipërinë e sotme të Edi Ramës. Këtë krahasim Lubonja e bëri pikërisht në studion e kolegut Ylli Rakipi ku u zbulua një skandal ulëritës, një grabitje ditën për diell e 40 milionë eurove për dy km rrugë, një falsifikim kaq I trashë sa dhe dhe ata që falsifikojnë vulat tek rruga e Kavajës e shikojnë me përbuzje. Skandali I vjedhjes tek Unaza e re është vetëm një episod I vogël I korrupsionit qeveritar, vjedhje që Kontrolli I Lartë I Shtetit çdo vit e llogarit diku rreth 1 miliard euro. Pra më shumë çereku I buxhetit të shtetit  vidhet. Po si mund të krahasohen këta rruzhbihanë me një nga katër pesë njerëzit më ndritshëm të shekullit  XX, shekullit që më shumë se çdo epokë ka prodhuar histori.

Studentët shqiptarë po dalin në protestë  kur ekonomia e vendit është një sofër qorrash për një grusht njerëzish, kur një grup oligarkësh kontrollojnë qeverinë dhe ekonominë, kur ligjet kanë filluar të kenë emra të oligarkëve të caktuar sepse të tillë janë hartuar , në favor të një sipërmarrësi për ti rrëbyer me dhunë qeveritare tregun konkurrentëve të tij, kur vendi po zbrazet në mënyrë të frikshme dhe investitorët e huaj nuk I afrohen Shqipërisë si atyre qyteteve mesjetare në karantinë ku ka rënë kolera. Përse duhet të vijnë në Shqipëri kur foto e një sipërmarësi të huaj  të masakruar me shkop bejsbolli nga njerëz që mbledhin vota për qeverinë , të cilët ende pas tre vitesh nuk janë kapur, bëri xhiron e botës? Përse duhet të vijnë kur përfaqësuesve të gjigandit Bouyges International, I cili turn over  e vitit të fundit fiscal e kishte 32 miliardë euro, i cilivec te tjerash ka ndertuar dhe tunelin e La mansh, pasi shfaqin interes për të ardhur  në Shqipëri , në ministrnë e shëndetësiësë u thanë që të lidhen me Zamirin. A mund të krahasohet ekonomia e sotme shqiptare më atë të Francës së gjysëm shekulli më parë, kur Dë gol e kishte kthyer nga nje vend bujqësor në një nga vendet më të industrializuara të globit, me një rritje vjetore konstante 7 – 10 për qind në vit. Dë Gol e futi Francën si të barabartë në klubin e vendeve nukleare.  A nuk mund të shqyhesh gazit nëse vetëm për një çast  çon nëpër mend ushtrinë e Edi Ramës dhe Olta Xhaçkës.

Studentët shqiptarë po dalin në protestë kundër qeverisë së një sharlatani të cilin homologët e tij nuk e trajtojnë më as si një arlekin. Krejt e kundërta ishte me Dë Gol. Gjenerali I famshëm francez arriti ta nxjerrë Francën nga poshtërrimi më I madh saj historik kur u tret brenda pak ditësh dhe rikthimin e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB. Dinjiteti personal  I një njeriu që vetëmishëroi historinë e lavdishme të një kombi të madh arriti të trajtohet me respekt dhe si barabartë nga monstra politike si Stalin, Çërçill dhe Ruzvelt .

A mund të krahasohen diarreja leksikore e Ramës me fjalimin e 18 qershorit të gjeneralit? A mund të krahasohen molloisjet e Ramës në ERTV me ndërhyrjet e përditshme të DëGolit në Radio Londra.  A mund të krahasohen toçat dhe poçat me baltë që Rama mban rreth vetes me burra të mëdhenj shteti si Dëbre, Pompidu, Zhiskar, Shabo-Delma ? Eshtë sikur të krahasosh basketbollistat  ndërtues të Dinamos me Oneill e NBA.

Protestat e vitit 1968 në Paris ishin krejt tjetër gjë. Ishte brezi I babyboomer, I atyre që kishin lindur pas luftës, që nuk kishin njohur sakrificat e saj, që po shijonin , pse jo dhe po llastoheshin nga mirëqënia e vrullshme që po përjetonte Franca.  Si baba I kombit Dë Gol po qeveriste në mënyrë autoritare. Kjo ishte e papranueshme për brezin që donte të ndryshonte zakonet shoqërore, liria seksuale njëra prej tyre. Në Tiranë nuk po protestohet për liri seksuale, por për bukën e gojës.

Dë Gol pas vdekjes u kthye në njeriun ndoshta më të respektuar në historinë e Francës. Shtëpia e tij në fshatin Kolombe le dë egliz është kthyer në monument kulti ku francezët vendosin lule. Ndërsa pas ca kohësh sarajet e braktisura të Surrelit do përdoren nga çobanët e malit të Dajtit që të mërzejnë bagëtinë gjatë vapës së gushtit. Ja përse Lubonja gabon monumentalisht kur krahason dy ngjarje që fare nuk ngjajnë me njëra tjetrën.

NOA Sondazh