Transmetuar më 07-12-2018, 16:27

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka bërë apel ndaj institucioneve shtetërore dhe kompanive private, që me politikat e tyre t’u japin mundësi punësimi edhe personave me aftësi të kufizuara.

Përmes një statusi në rrjetin e tij social “Facebook”, Meta shkruan se sfida më e madhe e shoqërisë shqiptare, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar është ‘fuqizimi ekonomik i tyre’.

Sakaq, në ambientet e presidencës u çel sot një ekspozitë, e cila prezantoi punën e personave me aftësi të kufizuara, ekspozitë kjo që përçoi mesazh tek të gjithë shoqëria.

“Një sfidë e madhe për Personat me Aftësi të Kufizuar vijon të mbetet fuqizimi i tyre ekonomik. Kjo do të thotë më shumë punësim për ta, gjithëpërfshirje e mbështetje për t’u integruar plotësisht në shoqëri.

Me qëllim promovimin e mundësive të barabarta dhe përpjekjeve për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre, sot në Institucionin e Presidentit u çel një ekspozitë me shembujt pozitivë të Personave me Aftësi të Kufizuar, si një mesazh për t’i nxitur institucionet shtetërore e kompanitë private t’ju hapin dyert e punësimit”, shkruan Meta./b.l/noa.al/