Transmetuar më 07-12-2018, 15:54

Lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në spitalin e Bulqizës, ku një nënë shtatzënë në muajin e 5-të ka humbur tre foshnjat e saj vjen dhe reagimi nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas sqarimit të MSH, nëna e re Enkeleda Rexhepi 31 vjeçe është paraqitur në spitalin e Bulqizës në orën 12:00 të ditës së sotme, ku është asistuar për lindjen e trenjakëve me moshë barre të parakohëshme 24 javëshe.

“31-vjeçarja është asistuar për lindjen e fëmijës së parë nga mjeku i përgjithshëm Fatos Hoxha dhe dy mami të maternitetit të Bulqizës. Menjëherë është njoftuar ekipi i urgjencës kombëtare mjekësore dhe është nisur nga Tirana një ekip i specializuar nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” me helikopterin e Urgjencës Kombëtare.

Brenda 20 minutash, helikopteri me ekipin e specializuar nga Tirana ka mbërritur në spitalin e Bulqizës. Mjekët e specializuar të maternitetit të Tiranës kanë asistuar dy lindjet e tjera dhe kanë shpëtuar nënën e re, e cila rrezikonte jetën. Për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë dhe peshës nën 500 gr) të papajtueshme me jetën, trenjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve”, përfundon njoftimi.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Bulqizë, ku gruaja Enkeleda Rexhepi u paraqit në spital, por aty nuk kishte mjek gjinekologë dhe as sallë operacioni. Kështu pasi ka sjellë në jetë një nga fëmijët e saj e ndihmuar nga një infermiere, dy të tjerët kanë lindur të pajetë. Por edhe fëmija i lindur gjallë, ndërroi jetë pak më vonë.

Bëhet me dije se gruaja nga fshati Ostren, ishte transportuar me kalë deri sa kishte dalë në rrugë nacionale ndërsa më tej, me një makinë të rastit.

Por mungesa e mjekëve duket se ka rezultuar fatale për tre foshnjat. Ndërkohë pas ndërhyrjes së mjekëve të ardhur nga Tirana, gruaja ndodhet në gjendje të stabilizuar. Lidhur me këtë rast kanë nisur hetimet, për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes./b.l/noa.al/