Transmetuar më 07-12-2018, 09:16

Studentët e Universiteteve publike kanë bojkotuar mësimin duke u grumbulluar në fakultetet e tyre.

Me pankarta dhe banderola në duar, studentët kanë nisur marshimin drejt ministrisë së Arsimit, ku protesta pritet të kulmojë në orën 10.00.

“Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”, shkruhet në një nga banderolat e studentëve të Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Një tjetër pankartë e studentëve të Mjekësisë, shkruan se "Universiteti është i barabartë me një veshkë".

Studentët ndodhen në ditën e tretë të protestës së tyre, pasi duket se nuk i ka kënaqur heqja e tarifës për provimet e mbartura nga ana e ministrisë së Arsimit.

Studentët thonë se do të qëndrojnë deri sa të plotësohen kërkesat e tyre të tjera dhe se tarifa për provimet e mbetësve është vetëm njëra pikë nga katër kërkesat.

Ata kërkojnë edhe plotësimin e tre kërkesave të tjera, ku renditen përgjysmimi i tarifës së studimeve, përmirësimi i kushteve në konvikte si dhe që Bordi i Arsimit të Lartë të ketë numër të barabartë votash si ministria e Arsimit.

Ndërkohë në protestën e studentëve të Universitetit të Tiranës, janë bashkuar edhe studentë nga rrethet, si Korça, Elbasani, Durrësi, Shkodra dhe Vlora të cilët kanë bojkotuar mësimin. /a.y/noa.al

https://www.facebook.com/PerUniversitetin/videos/2152646595051893/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd