Transmetuar më 06-12-2018, 07:44

Një person i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, është arrestuar nga policia e Durrësit këtë të mërkurë.

Ai është 40-vjeçari italian, Giovanni Di Cosimo, i cili u vu në pranga në një apartament në qytetin bregdetar.

Di Cosimo njihej si kreu i një grupi kriminal në Bari, ndërsa prej afro pesë muajsh fshihej në Durrës, duke u larguar nga vendi i tij.

Gjithçka pasi i druhej një hakmarrje të mundshme, nga rivalët e tij në Bari.

Ky i fundit rezulton i përfshirë në trafik droge dhe zhdukje të disa personave, ndërsa ndaj tij Gjykata e Barit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ishte bashkëpunimi mes autoriteteve italiane me ato shqiptare ato që çuan në lokalizimin e tij në një pallat dhjetë katësh në Durrës.

Policia tha zyrtarisht se pas një hetimi intensiv disa mujor me metoda speciale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit dhe Arma e Karabinierëve të Barit, Itali u zbulua vendbanimi dhe u kap një shtetas i shumëkërkuar në nivel ndërkombëtar.

Gjatë paradites së të mërkurës, Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DPPSh, Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës finalizuan me sukses operacionin e koduar “Il Latitante”, ku u arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi italian Giovanni Di Cosimo, 40 vjeç, lindur dhe banues në Bari, Itali.

Arrestimi i tij u bë pasi, në ngarkim të tij, Gjykata e Barit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për këtë vepër penale maksimumi i dënimit është 20 vjet burgim. /a.y/noa.al

Në kërkim ndërkombëtar, kapet në Durrës italiani i shumëkërkuari