Transmetuar më 05-12-2018, 23:14

Ashtu si mbrëmja shkodrane që pamë para disa javësh, këtë të mërkurë, Jonida Shehu solli në Soiree një mbrëmje totalisht dedikuar “Tironës”.

Ndryshe nga herët e kaluara, ku shohim në studio televizive të flitet vetëm për muzikën e këtij qyteti dhe pak për historinë, të ftuarit kanë diskutuar për çështje si zakonet, veshjet, kultura “tironse” e deri te historia e bukur e kryeqytetit.

Teksa po diskutonin në studio, moderatorja dhe autorja e programit, Jonida Shehu pyeti të ftuarit nëse tironsit janë me të vërtetë kaq zemërgjerë sa ç’thuhet apo është vetëm një legjendë urbane nisur nga ardhjet e familjeve nga krahina të ndryshme të vendit në Tiranë.

Me të qeshura, këngëtari i njohur i muzikës së Shqipërisë së Mesme, Reshit Boka u shpreh: “Jo vetëm që janë, por janë edhe më shumë se ç’duhet!”

Më pas shtoi: “Cilido qytet që do ishte bërë kryeqytet, do të kishte pësuar fatin e Tironës… jo Tiranës!”

Ndoshta me të qeshur, por duket se Reshiti e tha çfarë kishte për të thënë!