Transmetuar më 04-12-2018, 16:36

Partia Demokratike ka akuzuar se banesa e prishur në Laprakë është e një prej të afërmve të poetit të pushkatuar, Havzi Nela.

Përmes një deklarate shpërndarë për mediat, PD pretendon se “prishja e banesave në Laprakë nisi me familjen Nela, të afërmin e poetit të pushkatuar Havzi Nela”.

Sipas selisë blu institucionet përdorën forcën për të nxjerrë jashtë familjarët e Bajram Nelës.

“Familja që ishte vendosur të bëhej shembull e para ishte ajo e Bajram Nelës. Nisja e prishjeve me forcë të shtëpive me familjen e Bajram Nelës, një i afërm i Havzi Nelës, poetit që u var në 1988 në sheshin qendror të Kukësit nga diktatura komuniste, të kujton jo vetëm firmën e Kristaq Ramës në atë varje, por flet edhe për marrëdhënien që Edi Rama do të vendosë sot me protestuesit”, deklaron PD.

Sipas saj, për banorët e Unazës së Re, Laprakës, Shkozës dhe shumë zonave të tjera informale, prishja e banesës së Nelëve është një mesazh se me ta nuk do të ketë negociata, por do të flitet vetëm me gjuhën e forcës. /k.k/noa.al/