Transmetuar më 03-12-2018, 20:53

Bie në pranga një person në Shkodër pas një hetimi disa mujor.

Mësohet se në pranga ka rënë Bardhok Planaj, 44 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, Shkodër.

Ai akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Ndërtim pa leje”.

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas një hetimi disa mujor bënë të mundur dokumentimin e aktivitetit kriminal të shtetasit Bardhok Planaj, i cili prej disa vitesh kishte filluar ndërtimin për qëllime përfitimi të një objekti 10-katësh pa u paisur me lejet përkatëse të lëshuara nga organet kompetente.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se ky objekt është financuar nga të ardhura që dyshohet që kanë ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që ka kryer ky shtetas më parë.

Për këtë arsye është vendosur dhe masa e sigurimit pasuror me vendim gjykate “Sekuestro preventive”, në bazë të Urdhrit të Ekzekutimit Vendimit Penal nr.1169 datë 29.11.2018, për objektin 10- katësh që ndodhet në qytetin e Shkodrës në pronësi të tij, objekt i cili kap vlerën 2 milion Euro./a.k/noa.al/