Transmetuar më 02-12-2018, 21:10

Kryeministri Rama ka paralajmëruar ndëshkim për këdo që prodhon dhe shpërndal lajme të rreme.

I pranishëm në një darkë pune me pjesëmarrësit e konferencës së agjencive të lajmeve europiane dhe ballkanike, kreu i qeverisë tha se lajmet e rreme po shpërndahen me shpejtësi falë kontributit edhe të ndjekësve.

“Lajmet e rreme dhe shpifjet kishin një ndjekje më të madhe dhe ishin disa fish më të përhapura me kontributin e ndjekësve se sa lajmet e vërteta. Natyra e tërheqjes së shpifjes, sponsorizimi i lajmeve nga faktorë nga më të ndryshmet.

Edhe ne e kemi përjetuar pjesën e kësaj histori të hidhur. Shqipëria e dalë nga vite të tëra izolimi, ka qenë një vend goxha pjellor për sa i takon shpifjeve dhe lajmeve të rreme”, tha Rama.

Ai nënvizoi se autoritetet do hartojnë politika për të përmirësuar legjislacionin e platformave on-line.

Sipas tij, këto platforma nuk dihet se nga kush financohen dhe për çfarë qëllimi marrin këto para. Rama paralajmëroi gjithashtu masa për të garantuar të drejtën e autorit në media. /k.k/noa.al/