Transmetuar më 01-12-2018, 11:32

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një takim që pati sot me strukturat drejtuese të Lëvizjes Rinore për Integrim, tha se situata në vend është emergjente, ndaj duhet angazhim dhe sensibilizim në rrethin shoqëror.

Ajo tha se vetëm në tre vite, 23 mijë maturantë elitarë të Shqipërisë kanë kërkuar largimin nga Shqipëria në mënyrë zyrtare.

Sipas saj, kjo në një anë është shumë e mirë pasi tregon se rinia jonë është e aftë të përballet me konkurrencën botërore, por nga ana tjetër është fatkeqësi, murtajë apo kolerë, pasi të rinjtë nuk kanë besim dhe shpresë në vend.

“Nëse do kemi të rinj e të reja që duan të ikin një orë e më parë, nuk do kemi më mësues, inxhinier, mjek dhe lidera që ta çojnë vendin në drejtimin e duhur. Kjo pasi në këto 28 vite, klasa politike ka punuar mbrapsht. Që kur kemi dalë në opozitë nga korriku i 2017 deri më sot, është periudha më aktive opozitës”, u shpreh Kryemadhi.

Duke folur për protestën e banorëve të Unazës së Re, që preken nga projekti i Unazës së Madhe, ajo tha se nuk janë kundër rrugës, por kundër arrogancës së shtetit që shkel me këmbë arrogancën e saj.

Sipas saj, opozita është kundër vjedhjes së 48 milionë eurove, për të cilat tha se hidhen dhe janë ashiqare një vjedhje e jashtëzakonshme, jo vetëm e buxhetit të shtetit dhe taksave të qytetarëve shqiptarë, por edhe e pronave, mundit dhe djersës së banorëve të Unazës së Re.

Kryemadhi bëri thirrje që të rinjtë e LRI ti bashkohen protestuesve të Unazës së Re, për ti mbështetur dhe për t’iu thënë se nuk janë vetëm.

“Ky lider nuk iu kushton vëmendje të rinjve shqiptar, përkundrazi i injoron, nuk iu kushton vëmendje bizneseve, i mbyll ato dhe as arsimit”, tha ajo. /a.y/noa.al