Transmetuar më 28-11-2018, 15:45

Demokratët u mblodhën në Varrezat e Dëshmorëve për të nderuar bashkë me Pavarësinë edhe Ditën e Çlirimit, duke vijuar traditën e injorimit të 29 Nëntorit.

Pas homazheve dhe himnit kombëtar, kryetari demokrat u ndal për një mesazh me gazetarët. Numrat nuk kanë qenë asnjëherë pika e fortë e Lulzim Bashës, por konfuzioni i datave duket se e hutoi.

“Gëzuar nga zemra të gjithë shqiptarëve ditën e shenjtë të flamurit, ditën e pavarësisë së lirisë së Shqipërisë. Sot përkulemi në ditën më të thellë përpara simbolit tonë kombëtar, flamurit të Kastriotëve që u ngrit për herë të parë në kështjellën e tyre në 1944… 1444”, tha Basha.

Kryedemokrati mendoi se e kaloi si një lapsus të korrigjuar shpejt, duke harruar se Skëndërbeu e ngriti flamurin në Krujë më 1443 e jo më 1444.

Gafën e dyfishtë nuk ia fali Edi Rama, që pas postimit të videos së parë në Instagram e ka ripostuar sërish në Twitter duke u gajasur keq me kreun e opozitës.

“Kush kujton se është thjesht një ngatërresë me 5 shekuj e gjysëm për shkak të katrave e ka gabim, se Artisti jo vetëm s’e di që flamuri i Kastriotëve u ngrit në 1443, po kujton se kështjella e tyre është në Lezhë ku u mbajt mbledhja Besëlidhjes së 1444?Flm që na bën të qeshim?”, shkruan Rama.

Më herët Rama publikoi të njëjtën video me momentet e ngatërrimit të Bashës, ndërsa e shoqëroi me mbishkrimin: “Flamuri që u ngrit në 28 nëntor 1944… Ah jo, prit: 28 nëntor 1444”, shkruan Rama duke e ironizuar.

Edhe ky 28 Nëntor e ka gjetur të ndarë politikën shqiptare, ku Kryeministri Edi Rama bashkë me përfaqësues të kabinetit qeveritar shkuan në Vlorë, ku u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit, në monumentin e pavarësisë.

Por kryedemokrati Lulzim Basha, shkoi në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, për të kujtuar të rënët dhe ditën e Çlirimit, bashkë me përfaqësues të tjerë të opozitës./b.l/noa.al/