Në një analizë të shkruar, shkrimtari Rexhep Qosja sqaron se merret vetëm me konceptin (pra jo me detajet që u takojnë ekspertëve). Akademiku thotë se ideja ka qenë e intelektualëve më parë se të bëhej e politikës dhe se në bisedime duhet përjashtuar Aleksandër Vuçiç për shkak të lidhjeve të tij me Sheshel.
“Shkëmbimi i territoreve të sipërthëna, i arritur në paqe, me Marrëveshje midis shqiptarëve dhe serbëve, me pajtimin në fund të faktorëve ndërkombëtarë, me pajtimin e SHBA-së dhe të BE-së, do ta bënte më të madhe se ç’është sot mundësinë politike, kombëtare e ndërkombëtare, për zgjidhjen përfundimtare, historike, të çështjes së Kosovës: për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, thekson Qosja në shkrimin për ‘GSh’. Ai rendit 9 porosi për bisedimet ku si fillim hyhet si të barabartë.
Nga çështjet e hershme historike, te herët kur historia e bisedimet kanë çaluar, profesori thotë se do të duhej një marrëveshje që u vlen edhe atyre që nuk jetojnë më e edhe atyre që nuk kanë lindur ende.
Nga Rexhep Qosja
Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, e bërë publike shumë vite më parë, por e përditësuar dy muajt e fundit, tashmë është ngritur në nivelin e çështjes për të cilën po flitet në gjithë hapësirën shqiptare, madje edhe në diasporë. Çështja e shkëmbimit të territoreve është çështje, çështje politike e kombëtare e madhe, sepse është çështje që i përket tërësisë territoriale të Kosovës, tërësisë territoriale të Serbisë dhe, rrjedhimisht, qëndrueshmërisë në rajon, para së gjithash në rajonin e të ashtuquajturit Ballkanit Perëndimor.
Megjithëse çështja e shkëmbimit të territoreve ende nuk është bërë çështje e bisedimeve, për të e kanë quajtur të nevojshme, dhe të arsyeshme, ta thonë mendimin e tyre institucione shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë, struktura drejtuese të partive politike në Kosovë, të partive politike në Shqipëri, të partive politike shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës e në diasporë, mandej, intelektualë, studiues shkencorë, shkrimtarë dhe qytetarë të zakonshëm.
Për dallim prej institucioneve dhe vetjeve disa prej të cilëve merren edhe me përpjesëtimin e me përmbajtjen, domethënë me vetë projektin e shkëmbimit të territoreve, unë në këtë mes merrem vetëm e vetëm me konceptin, vetëm me çështjen e shkëmbimit të territoreve, i vetëdijshëm se përpjesëtimin e përmbajtjen e saj duhet ta përcaktojnë ekspertët e të dy palëve në bisedime.
Është e kuptueshme që prej gjithë këtyre institucioneve, gjithë këtyre drejtuesve të partive, gjithë këtyre intelektualëve dhe qytetarëve të zakonshëm të jenë dëgjuar mendime të ndryshme për shkëmbimin e territoreve, shpesh ndërsjellshëm plotësisht të mospajtueshme.
Ndër këto mendime ndërsjellshëm plotësisht të mospajtueshme mbizotërojnë, ndërkaq, mendimet e atyre institucioneve, atyre drejtuesve të partive politike, të atyre intelektualëve dhe të atyre qytetarëve të zakonshëm, që shkëmbimin e territoreve e mohojnë, duke e quajtur kundërkombëtar dhe të rrezikshëm për rajonin apo, madje, edhe më gjerë!
Nuk ka dyshim se autorët e këtyre mendimeve mbizotëruese kundër shkëmbimit të territoreve nxituan t’i shpërfillin shprehjet pothuaj mirëkuptuese ndaj lëvizjes së kufijve, domethënë ndaj shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, që u dëgjuan nga figura të larta politike e shtetërore në administratën e SHBA-së e të disa vendeve të BE-së dhe në administratën e jashtë administratës së disa vendeve të tjera në botë, të cilat, ç’është e vërteta, më shpesh se mendime individuale ishin mendime zyrtare.
Nuk është e vështirë të vërehet se në deklarimet institucionale dhe individuale për shkëmbimin e territoreve, si edhe në gjykimet tona në lidhje me çështje të mëdha kombëtare, shoqërore, ekonomike e të tjera në përgjithësi, ndikim përcaktues ushtrojnë përkatësitë partiake, përkushtimet ndaj këtyre a atyre faktorëve ndërkombëtarë, përkushtimet pushtetore, formimi kulturor dhe informimi i përgjithshëm i të deklaruarve.
Çështja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është çështje që, ndoshta, ndoshta mund të shtrohet në bisedimet mes shqiptarëve dhe serbëve në Bruksel dhe, si e thonë disa nga vëzhguesit e tyre, mund të shtrohet në mënyrë demagogjike prej kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të shtrohet kur e kur edhe mistifikueshëm prej kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe mund të shtrohet qartë prej përfaqësueses së BE-së në këto bisedime, Federika Mogerini.
Si u pa, në këtë shumësi pikëpamjesh tona për çështjen e shkëmbimit të territoreve u shprehën edhe disa paqartësi kuptimore dhe nocionore. Në një sërë rastesh çështja e shkëmbimit të territoreve u mbulua me togfjalëshit korrigjim i kufijve, lëvizje e kufijve apo, madje, dhe ndarje e Kosovës. Keqkuptim të veçantë të çështjes së shkëmbimit të territoreve përfaqëson togfjalëshi ndarje e Kosovës. Me këtë togfjalësh në disa raste synohet zhvlerësimi i skajshëm i çështjes së shkëmbimit të territoreve, i korrigjimit të kufijve, i lëvizjes së kufijve, që në asnjë rast nuk kanë qëllimin, prandaj as kuptimin e ndarjes së Kosovës.
Të gjithë ata që sadopak e dinë historinë e çështjes së Kosovës dhe të gjithë ata që qoftë si njerëz politikë qoftë si intelektualë janë marrë dikur me këtë çështje e dinë se farkues të idesë së ndarjes së Kosovës ishte politikani dhe shkrimtari serb, Dobrica Qosiq, me mirëkuptimin frymëzues të ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Uoren Cimerman. Meqenëse Dobrica Qosiqi dhe politikanët e intelektualët serbë e synonin dhe e dëshironin ndarjen e Kosovës, është e kuptueshme pse shkëmbimi i territoreve, atëherë prej meje dhe më vonë prej ndonjë intelektuali tonë tjetër, i shprehur me togfjalëshin nocionor lëvizje e kufirit verior, nuk ishte dhe nuk mund të ishte ide e tyre – e serbëve në asnjë rast. Jo. Ideja e shkëmbimit të territoreve, koncepti i shkëmbimit të territoreve tashmë i ngritur në nivelin e çështjes, ishte, pra, ide e jona, e disa intelektualëve tonë, të cilët me të e mohonin idenë e ndarjes së Kosovës. Edhe me këtë ide, me idenë e shkëmbimit të territoreve atëherë në të vërtetë mbrohej ideja e tërësisë etnike dhe historike shqiptare të Kosovës me Luginën e Preshevës dhe mbrohej, sepse Kosovës i merrej territor, por dhe më shumë i bashkohej territor.
E trajtuar në shkrimet e mia disa herë edhe pas luftës, kjo çështje do sjellë reagime mospajtuese të vrazhda, plot atdhetarizëm mëhalle, sidomos pas artikullit tim të botuar në muajin janar të vitit 2017.
Nuk është e çuditshme, prandaj, pse kundër çështjes së shkëmbimit të territoreve ishin atëherë dhe janë sot bartësit e përbetuar të nacionalizmit serbomadh: Kisha Pravosllave Serbe në Serbi, në Bosnjë e Hercegovinë, në Kroaci, kudo në Ballkan dhe Kisha Pravosllave Serbe në SHBA, mandej intelektualët nacionalistë serbë në institucione të ndryshme të arsimit, të shkencës e të kulturës si dhe gati të gjitha partitë opozitare në Serbi.
Për idenë e shkëmbimit të territoreve sot në Serbi deklarohen kur qartë e kur mistifikueshëm kryetari i Serbisë dhe kryetar i Partisë më të madhe serbe, Partia Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq me partinë e tij, me qeverinë dhe me shumicën në Kuvendin e Serbisë. Dhe, deklarohen me shpresën se ashtu e sigurojnë përkrahjen e Bashkimit Evropian, që po i përkrah stabilokracitë autoritare në shumicën e vendeve ish komuniste, posaçërisht në Serbi e në Kosovë!
Shumësia e deklarimeve tona institucionale, partiake e individuale, kundër shkëmbimit të territoreve midis Kosovës e Serbisë në të vërtetë e tregon deshëm s’deshëm gjendjen e pamerenduar të politikës sonë të sotme në përgjithësi. Gjendja e mosmerenduar, në të vërtetë e diletantizuar e politikës sonë shtetërore është aq shumë e përmbysur saqë kryetari i shtetit flet për korrigjim të kufirit (pa guximin moral që ta quajë shkëmbim të territoreve çka ai korrigjim edhe është), kurse kryeministri atë korrigjim e quan hyrje në luftë!
Në institucionet politike e shtetërore dhe në mendjet e atyre që vendosin sot në emrin e Kosovës edhe për çështje madhore siç janë bisedimet me pushtuesin njëshekullor të Kosovës me dashje a pa dashje ende nuk dihet edhe çka do të duhej të dihej, nuk bëhet e thuhet edhe çka do të duhej të bëhej e të thuhej dhe bëhet e thuhet edhe çka nuk do të duhej të bëhej e të thuhej.
Çka do të duhej të dihej në këto institucione dhe çka do të duhej të dihej prej këtyre përfaqësuesve politikë e shtetërorë të popullit shqiptar të Kosovës e, si po shihet, ende nuk dihet apo nuk shihet se dihet!
-1- Do të duhej të dihej se sot midis të pushtuarit dhe pushtuesit njëshekullor, domethënë midis shqiptarëve si të pushtuar dhe serbëve si pushtues të Kosovës gjatë, gati një shekulli, nuk bëhet dialog, por bëhen bisedime, bisedime zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike. Për çështje madhore siç janë liria e pavarësia, siç janë kufijtë, siç është mëvetësia e shtetit nuk bëhet dialog po bëhen bisedime zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike. E shkencore. E jo dialogë. Duke i quajtur dialog e jo bisedime, bisedimet zyrtare, shtetërore mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë pjesëmarrësit e Kosovës në atë dialog në thelb po e degradojnë statusin shtetëror të Kosovës! Edhe në qoftë se një emërtim i tillë – dialog i bisedimeve u kërkohet prej tjetërkujt ata nuk do të duhej ta pranojnë!
-2-Do të duhej të dihej se prej Kongresit të Berlinit, në të cilin do të vendosej rend i ri botëror, para së gjithash evropian, fizionominë politike e shtetërore të Ballkanit e përcaktonin fuqitë e mëdha evropiane: Britania e Madhe, Franca, Rusia, Gjermania, Italia. Prej Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919 në përcaktimin e fizionomisë politike e shtetërore të Ballkanit do të marrin pjesë me rol vendimtar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu, do të duhej të dihej se fuqitë e mëdha, varësisht prej rastit e çastit, kur më pak e kur më shumë i kanë lëvizur dhe mund t’i lëvizin parimet e kriteret në bazë të të cilave e kanë caktuar dhe mund ta caktojnë fizionominë politikë e shtetërore të Ballkanit a hapësirave të tjera.
-3- Fuqitë e mëdha politike dhe botërore, me institucionet e sotme botërore të mbisunduara prej tyre, tashmë gjithnjë e më shpesh të quajtura faktorë ndërkombëtarë, kur më drejtpërdrejt e kur më ndërmjetueshëm i mbikëqyrin apo, madje, i përcaktojnë bisedimet midis popujve e shteteve të konfliktuara, apo të papajtuara, që ende nuk i kanë zgjidhur të gjitha çështjet e tyre politike e shtetërore. Këta faktorë zakonisht nuk lejojnë që në bisedimet e mbikëqyrura apo, madje, të përcaktuara prej tyre njërës palë t’i dhurohen të gjitha, kurse tjetrës asgjë! Ato kur më pak e kur më shumë kujdesen, herë sinqerisht e herë trekatërfytyrshëm, që ato bisedime të sjellin zgjidhje të baraspeshuara midis tyre.
-4-Fuqitë e mëdha botërore, në të vërtetë faktorët ndërkombëtarë që i mbikëqyrin apo, madje, i përcaktojnë ato bisedime midis popujve e shteteve, zakonisht, nuk e kundërshtojnë fushas marrëveshjen që në mënyrë paqësore e arrijnë dy palët në bisedime dhe nuk e kundërshtojnë ashtu edhe në qoftë se ajo marrëveshje arrihet në sajë të disa zgjidhjeve që nuk janë në pajtim me ndonjë parim të politikës së tyre ndërkombëtare, siç janë, fjala vjen, korrigjimi i kufijve, lëvizja e kufijve, shkëmbimi i territoreve, apo, madje, siç ka ndodhur mes dy luftërave botërore, zhvendosja vullnetare e pjesëve të popullsisë. Veprojnë kështu faktorët ndërkombëtarë në radhë të parë për arsye se mospajtimi me marrëveshjen që e arrijnë në mënyrë paqësore dy popuj, dy shtete, do të thotë përzierje në punët e tyre të brendshme, në të vërtetë cenim i sovranitetit të tyre politik e shtetëror, që, megjithatë, siç po shohim orë e çast në Kosovë, e cenojnë me heshtje e brohoritje!
-5- Në bisedimet zyrtare shtetërore, politike e diplomatike midis dy popujve, dy shteteve, siç janë bisedimet e sotme midis Kosovës dhe Serbisë për çështje madhore politike e kombëtare zakonisht nuk shkohet me mendje dogmatike, nuk shkohet me një qëndrim. Në bisedimet për çështje të tilla madhore zakonisht shkohet me dy versione të të njëjtit qëndrim apo, madje, edhe me një qëndrim të quajtur alternativ. Përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet e tanishme me përfaqësuesit e Serbisë e mohojnë pothuaj plotësisht këtë praktikë dhe e mohojnë, sepse nuk e njohin a nuk duan ta njohin përvojën e shteteve me tradita të mëdha shtetërore, diplomatike, bisedimore në përgjithësi.
-6- Në bisedimet zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike, midis popujve e shteteve, siç janë bisedimet për çështje madhore mes Kosovës dhe Serbisë, zakonisht nuk flitet me kategori folklorike e romantike dhe nuk flitet me kategori të tilla sepse ato janë kategori të fëmijërisë së kulturës politike e shtetërore. E përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet zyrtare, shtetërore, politike, me përfaqësuesit e Serbisë dhe të shteteve të tjera ndodh të flasin pikërisht me kategoritë e tilla! Paraqitjet e tyre politike romantike e folklorike të shpeshtën e herëve përmbajnë qëllimin e mashtrimit të opinionit vendor.
Romantizmi dhe folklorizmi i tyre bëhet trumbetues posaçërisht pas cikleve të bisedimeve kur duan ta bëjnë me dije opinionin vendor për sukseset e tyre të sotme e të ardhshme bisedimore. Në raste të këtilla ata u thonë dëgjuesve të tyre se marrëveshja me Serbinë doemos do t’i sjellë Kosovës vendin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, thuajse pajtimi i Serbisë për t’u bërë shteti i Kosovës anëtar në OKB na qenka më i rëndësishëm se njohja prej 115 shteteve! Ata nuk e dinë apo nuk duan ta dinë se vendi i Kosovës në OKB më shumë se prej kujtdo tjetër varet prej pajtimit të Rusisë dhe të Kinës, të cilat kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të kësaj organizate.
Edhe më trumbetueshëm ky folklorizëm politik shprehet në deklaratat aq shpesh të përsëritura për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën pa treguar se ky bashkim mund të realizohet vetëm duke iu dhënë Serbisë pjesë e Veriut të Kosovës me shumicën serbe. Është politikisht dhe moralisht e palejueshme të mashtrohet dhe të nënçmohet mendja jonë politike me deklarata të këtilla diletante mashtruese!
-7- Në bisedimet zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike midis popujve e shteteve, siç janë bisedimet e tanishme midis Kosovës dhe Serbisë, zakonisht duhet të njihet në tërësi jetëshkrimi politik i pjesëmarrësve, në mënyrë të veçantë, i kryepjesëmarrësit të palës tjetër në këto bisedime. Po të pajiseshin me të dhënat e duhura prej fillimit të bisedimeve për jetëshkrimin politik të kryepërfaqësuesit të Serbisë në bisedime, Aleksandër Vuçiqit, përfaqësuesit e Kosovës do të duhej ta “kushtëzonin” pjesëmarrjen në bisedime me largimin e tij. Dhe, do të duhej ta “kushtëzonin” pjesëmarrjen e tyre në bisedime me largimin e tij për shkak se ai ishte zyrtar i lartë në Partinë Radikale Serbe si parti shoviniste e Vojisllav Sheshelit, për shkak se ai ishte zyrtar i lartë në qeverinë e Millosheviqit, e cila, përpos të tjerash, ka bërë dhe zhvendosjen e dhunshme të gati gjysmës së shqiptarëve të Kosovës në gjysmën e parë të vitit 1999, për shkak se ai ishte ithtar i qëndrimit politik, partiak e shtetëror të Vojisllav Sheshelit për dëbimin e shqiptarëve përtej Bjeshkëve të Nemuna dhe, më në fund, për shkak se ai ishte bashkëveprues politik në gjenocidin e Srebrenicës ndaj myslimanëve të Bosnjës. Mbas deklaratës zyrtare të qeverisë së Serbisë në të cilën thuhej se delegacioni serb nuk i pranon bisedimet me delegacionin shqiptar të kryesuar prej nënkryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në ato bisedime me delegacionin serb të kryesuar prej Aleksandër Vuçiqit bëhet plotësisht e palejueshme politikisht, moralisht dhe kombëtarisht.
-8- Përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet e tanishme me përfaqësuesit e Serbisë do të duhet ta dinë se, siç na mëson historia, asnjë rend botëror s’është i gjithmonshëm: çdo rend botëror më herët a më vonë zëvendësohet prej një rendi tjetër botëror. Rendi i sotëm botëror, i bazuar në të drejtat e njeriut, është rend botëror si i dhuruar prej Perëndisë për ne shqiptarët. Por nuk do të duhej të harrojmë se edhe ky rend botëror do të ketë një fund dhe dikur do të jetë i zëvendësuar prej një rendi tjetër botëror. Mjerisht askush prej nesh sot s’mund ta thotë me siguri nëse ai rend tjetër botëror do të jetë i fatshëm a fatkeq për ne. Por ne, si popull, si popull tani me dy shtete nuk guxojmë të mos mendojmë edhe për këtë mundësi të dytë.
-9- Përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet e tanishme me përfaqësuesit e Serbisë do të duhej të dinë se edhe më tej, shumë, shumë serbë, në të vërtetë, numri më i madh i tyre, besojnë në mitologjinë mesjetare serbe. Ata besojnë se historia e Kishës Pravosllave Serbë në Kosovë është histori 800-vjeçare! Ata besojnë se Prizreni ishte kryeqyteti i Perandorisë së Car Dushanit! Ata besojnë se Kosova është burimi shpirtëror i serbëve! Ata besojnë se Kosova me historinë dhe traditat e saj përcakton identitetin shpirtëror serb! Kjo pseudomitologji është përmbajtje e shkrimeve të një vargu studiuesish, shkrimtarësh e intelektualësh të tjerë serbë sot, që kundërshtojnë me gjuhë gjoja shkencore, në të vërtetë euforike, çdo ide për pajtimin me shkëmbim territoresh e me pavarësinë e Kosovës. Ata e përsërisin mendimin e kryetarit të dikurshëm grek Karamanlis, i cili në një rast i paska thënë Dobrica Qosiqit: “Asgjë s’mund të bëni sot për Kosovën, sepse të gjithë janë kundër jush; duhet të prisni kohë tjetër që doemos do të vijë”!
Mund të supozohet se informimi i përfaqësuesve të Kosovës në bisedimet zyrtare, shtetërore, politike e diplomatike, me përfaqësuesit e Serbisë në Bruksel për idetë dhe domethëniet politike, diplomatike, shtetërore të përmbajtura në pikat e sipërthëna nuk do të ishte i pafrytshëm për ta. Nuk ka dyshim se shpjegimet e sipërthëna sjellin bindjen se shkëmbimi i territoreve s’do parë e trajtuar siç po e trajtojnë kundërshtarët e tij.
Nuk e quaj mençuri zgjidhjen e hamendësuar të konfliktit të gjatë historik shqiptaro-serb me arnime të përkohshme! E quaj mençuri politike e historike zgjidhjen e këtij konflikti me zgjidhje të përhershme, me zgjidhje historike, që nënkupton shkëmbimi i territoreve, i shfaqur si gjasë pothuaj e papritur sot, për brezin tonë.
Dijet që janë mbledhur në mendimoren tonë kombëtare për historinë e çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, dijet që janë mbledhur në mendimoren tonë kombëtare për historinë e Serbisë e për pseudomitologjinë e saj mesjetare që, megjithatë, përbën përcaktuesin e gjendjes shpirtërore e kulturore serbe, dijet që do të duhej të kishim për rolin e Kishës Pravosllave Serbe në politikën dhe në jetën kombëtare, shtetërore, politike e kulturore serbe gjatë historisë e sot dhe, pashmangshëm, mendimet e pandalshme që ne, brezi i sotëm, duhet t’i kemi për ardhmërinë e qetë dhe të sigurt të pasardhësve tonë, pa dhembjet e tragjeditë tona të deritanishme – të gjitha këto më bëjnë të besoj se shkëmbimi i territoreve: i Veriut të Mitrovicës, natyrisht, pa objektet vitale për zhvillimin e Kosovës, me Luginën e Preshevës (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) do të ishte zgjidhja politike, shtetërore e kombëtare, domethënë do të ishte zgjidhja historike e çështjes së marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.
Të përsëris, brezi ynë i sotëm s’ka të drejtë morale të mendojë për përfundimin e bisedimeve me Serbinë pa menduar për ardhmërinë e pasardhësve tonë. E do të mendojmë si duhet për ardhmërinë e pasardhësve tonë në qoftë se do ta kemi në mendje atë urtësinë e mendimtarit të madh evropian i cili ka thënë: “Shteti është bashkëpronë e të gjallëve, e të vdekurve dhe e të palindurve ende”. Domethënë: Shteti është i atyre që kanë jetuar, por nuk janë më të gjallë, i atyre që sot jetojnë në të dhe i atyre që do të jetojnë pas nesh në tê, domethënë i pasardhësve tonë.
Tradita politike e historike jo vetëm evropiane dhe mendimi i menduar historik, objektiv, na thonë se nuk është shkëmbimi i territoreve, në këtë mes i territoreve të sipërthënë, i arritur në mënyrë paqësore, me marrëveshje midis dy palëve, çështje që sjell luftë. Jo. Dhe, jo. Marrëveshjet paqësore, që arrihen me marrëveshje midis palëve në konflikt apo ende të papajtuara, nuk sjellin luftë; luftë mund të sjellin marrëveshjet e pranuara nën trysni: nën trysninë e faktorëve të brendshëm apo të jashtëm.
Shkëmbimi i territoreve të sipërthëna midis Kosovës dhe Serbisë do të mënjanonte prej së tashmes së Kosovës të gjitha ato kërkesa dhe pengesa të Serbisë dhe të strukturave serbe në Kosovë, që po e pengojnë Kosovën të bëhet shtet funksional.
Shkëmbimi i territoreve të sipërthëna do të mënjanonte prej historisë së Kosovës dhe historisë shqiptare në përgjithësi të papriturat e mundshme, kur më pak e kur më shumë kundërvepruese, që përmban Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë, që me politikën dhe me veprimtarinë e saj, të paraparë e të paparaparë, përbën faktorin e forcimit të rolit të serbëve në Kosovë, e përmes tyre të forcimit të rolit politik edhe të Serbisë në Kosovë e në rajon – të forcimit me përbërje e qëllime të paparashikueshme prej strukturave politike e shtetërore të Kosovës sot!
Rrjedhimisht shkëmbimi i territoreve në mënyrë paqësore, me Marrëveshje, midis Kosovës dhe Serbisë mund të shpresohet, e përsëris, mund të shpresohet, sado kurrë me siguri të qindpërqintë, se sjell paqe midis këtyre shteteve dhe popujve të tyre, paqe të përtashme dhe paqe historike. Marrëveshja e tillë, e realizuar me shkëmbim të territoreve, realisht do të duhej ta bënte të pamundshme, me të gjitha pikëpamjet të pamundshme, rilindjen, në të vërtetë vampirizimin e pasojave të pseudomitologjisë serbe në Kosovë. Kjo, ndërkaq, nuk mund të thuhet për marrëveshje të tjera, të arritura me arnime, me pajtime e çpajtime të tjera!
Nuk mund të mos supozohet sadopak, ndërkaq, se roli i tillë historik i shkëmbimit të territoreve e ka shtuar numrin e zyrtarëve të sotëm dhe të mëparshëm politikë e shtetërorë në SHBA-të dhe në BE-në dhe në disa vende të tjera, që janë shprehur në favor të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë.
Dhe, në fund, le të thuhet haptas e qartë edhe ky mendim që mund t’i hidhërojë feudalët politikë e intelektualë në Kosovë sot:
Shkëmbimi i territoreve të sipërthëna, i arritur në paqe, me Marrëveshje midis shqiptarëve dhe serbëve, me pajtimin në fund të faktorëve ndërkombëtarë, me pajtimin e SHBA-së dhe të BE-së, do ta bënte më të madhe se ç’është sot mundësinë politike, kombëtare e ndërkombëtare, për zgjidhjen përfundimtare, historike, të çështjes së Kosovës: për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Ashtu qoftë!
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd