Transmetuar më 27-11-2018, 19:09

Lëvizja Socialiste për Integrim ka filluar që tani përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.

Në një takim me strukturat e partisë në Tiranë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kërkoi nga anëtarët që të vijojnë punën dhe të shkojnë banesë më banesë për të evidentuar çdo votë.

“Sot, që nga ky moment, të gjithë së bashku mjafton sikur 10 minuta në ditë, secili nga ne vetëm të mendojë për datën 30 qershor, të jeni të bindur që numri i këshilltarëve të LSI do të dyfishohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kemi bërë gabime.

Të gjithë kemi dëgjuar për ikjen e këshilltarëve të LSI për shkak të ndikimit rus. Në fakt nuk jam këtu për të bërë kritika për të kaluarën.

Por LSI nuk është e kryetares, por është e anëtarëve dhe e votuesve të saj. Prandaj nga sot, strukturat e Tiranës, të gjitha njësive administrative të fillojnë axhenden e tyre të punës. Jo vetëm evidentimin shtëpi më shtëpi të votave të LSI, të votave të pakënaqura nga PS-ja, të votave gri”, tha Kryemadhi.

Ajo hodhi akuza të forta në adresë të Kryeministrit Rama që sipas znj. Kryemadhi është përgjegjësi i largimit të shqiptarëve.

Kjo situatë, tha Kryemadhi, duhet të marrë fund sa më parë. /k.k/noa.al