Transmetuar më 27-11-2018, 14:49

Presidenti Ilir Meta, priti sot në një takim të zëvendës Kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Miro Cerar.

Meta vlerësoi marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, për të cilat tha se në afro tre dekada janë zhvilluar në mënyrë shumë të qëndrueshme dhe në traditën më të mirë të miqësisë midis dy popujve.

Duke iu referuar vizitës së ministrit Cerar dhe asaj të ardhshme të Presidentit të Sllovenisë në Tiranë, Presidenti, nënvizoi se intensifikimi i këtyre vizitave është shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët për t’i çuar këto marrëdhënie në një stad edhe më të lartë, si në nivel dypalësh ashtu edhe në nivel rajonal e shumëpalësh.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen që Sllovenia i jep Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe në mënyrë të veçantë nënvizoi mbështetjen për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal, në frymën e Procesit të Brdo-Brijunit dhe të Procesit të Berlinit, si dhe të intensifikimit të reformave të brendshme, për vijimin me sukses të procesit të integrimit dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Europian.

Në mënyrë të veçantë u nënvizua nevoja e vijimit të procesit të pajtimit e të mirëkuptimit midis popujve e vendeve të rajonit, si dhe u theksua se vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme dhe normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve është e një rëndësie jetike për të ardhmen evropiane të rajonit.