Transmetuar më 27-11-2018, 14:40

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka pritur sot në bashki një pjesë të banorëve të Unazës së Re, banesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Veliaj deklaroi se askush nuk dëshiron që të ketë të humbur, duke iu treguar rrugët se si të mos dalin të humbur nga shembja e banesave të tyre.

Ai i ftoi banorët që kanë tokë pas shtëpisë që nuk preken nga projekti, që të aplikojnë për leje në Bashkinë e Tiranës dhe ta ndërtojnë shtëpinë në zonën që nuk preket nga gjurma e rrugës.

Veliaj i ftoi që banorët që kanë dokumente pronësie të bashkëpunojnë me Autoritetin Rrugor Shqiptar, për shpronësim, ndërsa për të tjerët shtoi se le ti drejtohen bashkisë, që të mos dalin pa gjë.

“Nëse ke një hapësirë 30% ta zë rruga, atëherë të gjithë hapësirën që të zë rruga transferohet diku tjetër për ta marrë. Ka edhe një kategori tjetër që nuk e ndihmoj dot, ajo e politikanëve. Këta kanë nevojë për ndihmë sociale, këshillim, këta që nuk janë banorët dhe vijnë sikur te lodrat dhe teatri. Kush vjen deputet që vjen për të kapur kandidimin prapë, kjo vjen aty për hallet e veta dhe jo të banorëve. Ju flas si një njeri që është rritur me halle duke shkuar me qira nga njëra shtëpi te tjera, jo si këta. Këta që dalin sot e kanë bërë vetë projektin, por i pafytyrë nuk jam”, u shpreh Veliaj.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej më se 20 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës. /a.y/noa.al