Transmetuar më 27-11-2018, 13:52

Ministria e Brendshme del me deklaratë, lidhur me protestën e së enjtes së kaluar, ku banorët e Unazës së Re, banesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe u përplasën me policinë, duke bërë që një efektive policie të humbë gishtat dhe të tjerë të mbeten të plagosur si pasojë e hedhjes së lëndëve plasëse.

Zv.ministrja Ronina Kuko, tha sot se pas pasojave të rënda që solli përdorimi i mjeteve shpërthyese gjatë protestës së paligjshme, të zhvilluar përpara Kuvendit të Shqipërisë në datën 22 nëntor 2018, autoritetet përgjegjëse dhe ekspertë të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë masat për të hetuar shkaqet e pasojave të rënda që solli përdorimi me papërgjegjshmëri i tyre. Nga eksperimentet e kryera me mjetet shpërthyese, të sekuestruara gjatë protestës, janë regjistruar rezultate shokuese.

Ajo tha se provat eksperimentale kanë vërtetuar se mjetet e sekuestruara janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta, por edhe materiale të forta si eshtrat apo edhe metalet.

Ndërkohë që puna hetimore e mëtejshme po vazhdon, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera po marrin masa edhe për vendosjen e një regjimi të ri kontrolli për lëndët plasëse, ato shpërthyese dhe për mjetet piroteknike.

Në videon që gjeni më poshtë, sipas Kukos, shihen vetëm disa prej rezultateve të eksperimenteve të zhvilluara, në të cilat, shihen qartë rezultatet shkatërruese që sjell përdorimi i mjeteve shpërthyese të sekuestruara në 22 nëntor 2018.

Në emër të ministrisë së Brendshme ajo ju kërkoi të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, mjeteve shpërthyese dhe piroteknike me efekt të tillë, të cilat i drejtohen tregut të gjerë.

“Nxisim të ndërpritet menjëherë tregtimi dhe të dorëzojnë produktin me këtë përmbajtje, duke lajmëruar sa më parë Komisariatin pranë. Kushdo që do të kapet me këtë produkt apo do të disponojë individualisht të tilla lëndë do të ndalohet e ndëshkohet. Në prag të festave të fundvitit, Ministria e Brendshme u bën thirrje prindërve, familjarëve dhe kujdestarëve që të mos inkurajojnë dhe të mos lejojnë përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura nga fëmijët apo të rriturit”, u shpreh zv.ministrja.

Gjithashtu, Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët që të raportojnë në të gjitha rrugët e mundshme rastet e tregtimit apo përdorimit të lëndëve plasëse, atyre shpërthyese dhe mjeteve piroteknike.

Po ashtu ministria e Brendshme u kërkon gjithë subjekteve politike që të marrin masa për të mbajtur kontroll dhe përgjegjësi të plotë gjatë organizimit të veprimtarive, me qëllim ndalimin kategorikisht të përdorimit të mjeteve të sipërpërmendura gjatë tyre.

Kuko deklaroi se në ditët në vijim, qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme. Sakaq bëri me dije se Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera shtetërore do të intensifikojnë kontrollet dhe do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar rrezikun për sigurinë publike që buron nga përdorimi i mjeteve të rrezikshme.

“Në protestën e datës 22 nëntor 2018 u përdoren mjetet shpërthyese që u panë në video. Nga njëri prej tyre u gjymtua punonjësja 24-vjeçare e Policisë së Shtetit, Ina Nuka. Por nëse ne lejojmë përdorimin e mëtejshëm të tyre, pasojat e marrëzisë dhe papërgjegjshmërisë do të vijojnë. Ministria e Brendshme u kërkon të gjithëve bashkëpunim për të mbyllur këtë burim shqetësues rreziku për sigurinë e të gjithëve”, deklaroi në mbyllje Kuko. /a.y/noa.al