Transmetuar më 27-11-2018, 12:43

Tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Durrësit, Petraq Dhimitri, Petrit Ceno dhe Kliton Spahiu, do të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Kjo pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka mbyllur hetimet ndaj tyre, duke dërguar dosjen për gjykim.

Krahas tyre në gjykim është dërguar edhe biznesmeni Namik Sadiku, i cili akuzohet se ka paguar udhëtimet e tyre jashtë vendit, në një rast për të parë një ndeshje futbolli në Spanjë.

Për këto përfitime, sipas Prokurorisë, ata kanë dhënë një vendim civil në favor të biznesmenit Namik Sadiku.

Si prova, Prokuroria radhit udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin si në Itali, ashtu edhe në Spanjë si edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjyqtarët kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen mes Real Madridit dhe Barcelonës në tetor 2014, ndërkohë që kishin një proces të hapur me palë pikërisht këtë biznesmen.

Qëllimi i vizitës ndaj tyre ishte për të ndjekur derbin “El Clasico” mes Real Madrit dhe Barcelonës. /a.y/noa.al