Transmetuar më 25-11-2018, 19:49

Shtatorja përkujtimore e figurave të shquara të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sulejman Vokshit, që u vendos sot në të njëjtin qytet, bashkoi në Prizren krerët më të lartë të shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, por më kryesorja bëri bashkë Ramën dhe Metën.

Madje dy krerët më të lartë të institucioneve shqiptare pozuan pranë Shtatores me tre Rilindësit e mëdhenj, krah kolegëve kosovarë.

Presidenti Ilir Meta tha se, “Përfitojmë nga ky moment për të bërë thirrje të forcimit, të bashkëpunimit dhe të bashkimit të gjithë shqiptarëve në interes të prosperitetit të kombit tonë.”

Kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk do të jetë e largët dita kur të huajt të kuptojnë se shqiptarët janë një popull evropian. “Janë të shumtë smirëzinjtë vetëm ndaj faktit që ne ekzistojmë. Ata kërkojnë të na e grabisin mendimin e ekzistencës sonë. Le të mendojmë dhe të punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim mes toskëve dhe gegëve. Ne jemi të gjithë shqiptarë dhe formojmë një Shqipëri të bashkuar. Duhet që asnjë pikë e Shqipërisë, asnjë qytet, asnjë fshat shqiptar të mos u jepet vendeve me kombësi të huaja”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, premtoi se amaneti i heronjve do të shkojë deri në fund dhe shqiptarët nuk do të heqin dorë nga të drejtat e tyre.

“Nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë ajo do të bëhet realitet. Kushdo që dyshon se ne nuk do ta ndjejmë rrugën përpara, nuk do ta dimë atë rrugë dhe nuk do të dimë të marrim veprimet e duhura, gabon.”

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, apeloi që  sakrificat e të parëve nuk duhet të lihen mënjanë, por duhet respektuar dhe çuar deri në fund.

“Jemi të përgjegjshëm dhe të vëmendshëm për atë sakrificë që e kemi pasur dje, sakrificë që e kemi dhënë nga familjarët tanë, nga të afërmit tanë dhe në të njëjtën kohë për të çuar përpara këtë amanet të heronjve dhe martirëve të Kosovës.”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd