Transmetuar më 25-11-2018, 12:34

Një apel i trishtë është bërë sot në Gjykatën e Tiranës, ku banorët e Unazës së Re, do të njihen me masën e sigurisë.

Lulzim Dozhani një nga banorët arrestuar pas protestës së dhunshme të së enjtes para parlamentit, ka bërë një apel të trishtë.

Duke folur sot në seancë ai ka thënë se është arrestuar bashkë me të shoqen dhe se nuk shkonte të merrte dot djalin 7 vjeç nga shkolla.

“Na kanë çuar në komisariat. Na lini njërin të shkojmë ta marrim fëmijën siç presin të gjithë fëmijët e tjerë në shkollë. Nuk na kanë dhënë asnjë të drejtë të kontaktojmë me njerëzit për ta marrë këtë fëmijë. Ka shkuar në shtëpi dhe e ka gjetur derën mbyllur, ka pasur frikë e ftohtë. Ka shkuar dhe është ushqyer tek komshinjtë. Ne jemi në komisariate dhe nëpër burgje".

Ndaj Dozhanit, Prokuroria ka kërkuar si masë sigurie detyrim paraqitje.

Si pasojë e protestës së kësaj të enjteje u plagosën 15 efektivë policie, mes tyre edhe Ina Nuka, e cila humbi dy gishtat e njërës dorë, si pasojë e hedhjes së një lënde plasëse.

Nga ana e policisë u shoqëruan 25 persona, prej të cilëve 11 u mbajtën pas hekurave dhe të tjerët u lanë të lirë.

Ndërkohë mësohet se për gjashtë prej tyre Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” dhe për të tjerët “detyrim paraqitje”.

Banorët protestues për të cilat kërkohet burg janë Dorjan Protoduari, Fluturim Goleci, Amarildo Sinanaj, Ruzhdi Daci, Shpati Bilbilaj dhe Marsel Velillari.

Banorët e ndaluar akuzhen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al