Transmetuar më 25-11-2018, 11:42

Deputeti demokrat Ervin Salianji, nga Gjykata e Tiranës, ku ndodhet në mbështetje të banorëve të Unazës së Re, pas protestës së dhunshme të kësaj të enjteje para Parlamentit, hedh akuza të forta.

Duke publikuar fotografi nga seanca ai thotë se nëse vjedh, trafikon, merresh me prostitucion, me vrasje, me korrupsion Rilindja të bën deputet, ministër dhe të promovon.

“Nëse denoncon, ngre zërin, proteston, mbron familjen dhe banesën përfundon në burg! Prokuroria po kërkon burg duke paraqitur si provë materiale, 5 materiale plastike bidona, dy pankarta letre, dhe dy ristela mbajtëse”, shkruan Salianji.

Gjithçka pasi pytetarët e ndaluar nga policia, pas protestës së dhunshme të së enjtes para Parlamentit, ku banorët e Unazës së Re që preken nga projekti i Unazës së Madhe, u përplasën me policinë, kanë dalë sot para Gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.

Ndaj tyre do të caktohet masa e sigurisë, teksa banorët kërkojnë lirimin, si dhe familjarë dhe banorë të tjerë protestues nga ambientet e jashtme të gjykatës bëjnë thirrje për lirim.

Si pasojë e protestës së kësaj të enjteje u plagosën 15 efektivë policie, mes tyre edhe Ina Nuka, e cila humbi dy gishtat e njërës dorë, si pasojë e hedhjes së një lënde plasëse.

Nga ana e policisë u shoqëruan 25 persona, prej të cilëve 11 u mbajtën pas hekurave dhe të tjerët u lanë të lirë.

Ndërkohë mësohet se për gjashtë prej tyre Prokuroria do të kërkojë “arrest me burg” dhe për të tjerët “detyrim paraqitje”.

Banorët protestues për të cilat kërkohet burg janë Dorjan Protoduari, Fluturim Goleci, Amarildo Sinanaj, Ruzhdi Daci, Shpati Bilbilaj dhe Marsel Velillari.

Banorët e ndaluar akuzhen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al