Transmetuar më 24-11-2018, 16:44

Ditët e fundit e gjithë vëmendja e opinionit publik ka qenë e përqëndruar tek plagosja e polices në krye të detyrës, gjatë një proteste në Kryeqytet.

Po kush është Ina Nuka, vajza 24-vjeçare me pasionin e madh për t’u bërë police, pavarësisht mospëlqimit të prindërve të saj? Ina ju përkushtua pasionit të saj me të gjitha forcat duke dalë e shkëlqyer në shkollën e policisë.

Plagosja e punonjëses së policisë u bë menjëherë virale në rrjete sociale, duke e rënduar edhe më tej përjetimin e familjes, e cila mbi të gjitha falenderon Zotin, pasi mund të kishte shkuar shumë më keq.

Për gjyshen që është kujdesur për rritjen e Inës është shumë e vështirë të pranojë që një vajzë vetëm 24 vjeçe të mbesë e gjymtuar. Ajo falënderon qeverinë që bëri të mundur trajtimin e vajzës jashtë vendit.

Nga informacionet e familjarëve, gjendja e Inës në Turqi është e mirë, pas një nate të vështirë për shkak të infeksionit që kishte marrë dora e saj.

Ina ka mundur të komunikojë me babain dhe gjendja e saj psikologjike paraqitet më e qetë.