Transmetuar më 24-11-2018, 11:45

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër opozitën, duke e akuzuar këtë të fundit si nxitëse të protestës së dhunshme para dy ditësh tek Kuvendi, ku për pasojë u plagosën 15 policë dhe 3 banorë të Unazës së Re.

Gjatë një takimi ku u prezantua flota e re e Policisë së Shtetit, Rama iu kthehu përgjigje deklaratave të bëra nga eksponentë të opozitës, mes tyre edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, se policja Ina Nuka, e cila mbeti e plagosur rëndë, ishte pa eksperiencën e duhur për të marrë pjesë në protestë.

I pari i qeverisë tha se 24-vjeçarja mund të ishte dëshmorja e parë police e rënë në krye të detyrës, nëse nuk do të kishte vepruar me shpejtësi për të hequr kapsollën.

“Jo më larg se 48 orë në parë një efektive e Policisë së Shtetit mund të kishte humbur jetën. Ishte shpejtësia e reagimit të saj që bëri të humbte vetëm gishtat e njërës dorë. Ajo vajzë i përket gjeneratës së të reja dhe të rinjve të shkolluar në akademinë e ri çelur të sigurisë. Akademia që u mbyll për vite të tëra, duke ndërprerë një cikël trajnimesh të pazëvendësueshëm për Policinë e Shtetit.

Një ndër shumë vajza që janë dallëndyshet e para të pranverës së sapo nisur për rigjenerimin e Policisë së Shtetit, përfshi edhe vajza dhe djem që stërviten çdo ditë. “Humbi gishtat se nuk ishte e trajnuar’, u tha nga ata që janë shkaktarë të nxitjes së dhunës, për përdorimin e lendeve plasëse, që kodi penal e dënon si krim të rëndë. Ajo vajza dhe shumë të rinjtë tjerë, jo vetëm që janë të trajnuar, por stërviten fizikisht çdo ditë. Sot do të kishim një tjetër dëshmore dhe mesa di, të parën dëshmore të policisë së shtetit”, tha Rama.

Ndërsa në fjalën përshëndetëse në prezantimin flotës së re të policisë së shtetit, dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj komentoi edhe një herë protestën e dy ditëve më parë para parlamentit. Lleshaj kërkoi reflektim nga qytetarët por edhe siç tha ai përfaqësues të caktuar të politikës që të mos ngrenë dorë ndaj policisë.

“Jo më larg se dy ditë më parë, u përballën me një sulm të pabesë. Verbëria politike e ka përhere potecialin për të sjellë dëme. Ftoj qytetarët për një reflektim, te policia duhet të shohim forcën e mburojën tonë. Për reflektim ftoj edhe pëfaqësues të caktuar politikë që të rreshtohen krah policisë e jo përballë saj. Për një të ardhme më të mirë europiane.”- u shpreh LLeshaj