Transmetuar më 23-11-2018, 15:59

Efektivja Ina Nuka pritet të transportohet nga momenti në moment drejt Stambollit ku pritet të marrë dhe mjekimin e specializuar pas dëmtimit që pësoi kur u godit me kapsollë gjatë protestës së 22 nëntorit para parlamentit.

Mjekët raportuan se policja ka humbur dy gishta, një gisht i tretë është prerë deri tek mollëza ndërsa një gisht tjetër ka pak dëmtime.

Të shumtë ishin familjarët që sot i gjendeshin pranë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe vijojnë të jenë të shokuar mbi atë që ndodhi para parlamentit

" Mbesa është në reanimacion, gjendja është e përmirësuar. Po vijojnë procedurat për mjekim në Ankara. Mjeket e spitalti te traumes kane bere nderhyrjen, por duhet nje tjeter me e specializuar. Mbesa ime po kryente detyrën.

Po mbronte institucionin e shtetit, parlamentin, ndërsa ata që e goditën ishin njerëz që nuk duan as ligj dhe as shtet. Sepse vetëm njerëz të dëmtuar nuk kanë qenë. Nuk ka shkak që për banesën e dëmtuar të godasësh policin," u shpreh xhaxhai i vajzës.

Mësohet se Spitali i Traumës ka përgatitur të gjithë dokumentacionin dhe pritet vetëm sinjali nga pala turke dhe vajza të udhëtojë drejt Stambollit.

Ina Nuka është vajza 25-vjeçare pjesë e repartit “Shqiponja”, e cila të enjten e 22 nëntorit do e mbajë mend gjatë. Ajo humbi gishtat e njërës dorë gjatë protestës, ku u hodhën kapsolla dhe lëndë plasëse.

Gjithçka teksa banorët e “Unazës së Re” u përpoqën që të thyenin kordonin e policisë dhe tentuan të hynin brenda sallës së Kuvendit, duke kërkuar dëmshpërblim për objektet që preken nga projekti i Unazës së Madhe.

E reja është e diplomuar dy herë, ku pasi u diplomua në Universitetin e Sporteve në Tiranë, për shkencat e lëvizjes, ajo ndoqi edhe shkollën e policisë.

Për një vit e gjysmë ka qenë pjesë e patrullave të komisariati nr.3 dhe prej gjashtë muajsh pjesë e repartit “Shqiponja”.

Më herët e reja është përfshirë edhe në një ngjarje të bujshme, ku u përball me disa grabitës që kishin vjedhur një makinë, në Shkodër duke i ndaluar.

Për veprimin e saj, ajo u vlerësua me një pagë shtesë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.  E reja jeton e vetme me qera në kryeqytet, të atin e ka pa punë dhe nënën ekonomiste. Po ashtu Ina ka edhe një vëlla në emigrim në Gjermani./b .l/noa.al/