Transmetuar më 23-11-2018, 11:08

Autoriteti Rrugor Shqiptar del me deklaratë lidhur me koston e projektit të Unazës së Madhe, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës.

Duke publikuar tabelën zyrtare për Unazën, ARRSH thotë se 7.02 kilometër rrugë kanë kosto totale 8.3 milionë euro.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë publike tabelën zyrtare me të gjithë zërat e kostos së projektit “Mbikalimi Shqiponja-Pallati me Shigjeta” në kuadër të Unazës së Madhe të Tiranës.

Deklarohet se pretendimi se vepra ka vetëm 2.3 kilometra rrugë është e pavërtetë pasi projekti përfshin: 2.3 kilometra rrugë kategoria A Urbane; 4.68 kilometra rrugët e shërbimit “Kategoria F”; 5 km trotuare; 5 km korsi biçikletash; nënkalime këmbësorësh; ndriçim rrugëve kategoria Urbane A; ndriçim i rrugëve kategoria F; punimet e drenazhit dhe kullimit. Përveç kësaj, investimi përfshin mbikalim dhe nënkalim tek Sheshi Shqiponja; dy mbikalime të tjera dhe dy nënkalime përkatësisht tek Lana dhe Astiri.

“Siç mund ta shikoni në tabelë, kostot zë për zë të këtij investimi e qartësojnë se vetëm veprat e artit infrastrukturore mbikalime/nënkalime në rrugët e Kategorisë A dhe ato të kategorisë F në këtë projekt kanë 75% të totalit të kostos. Sipas po kësaj tabele rezulton se 2.34 kilometra rrugë kategoria A Urbane që është me standardet e një autostradë urbane, e para në Shqipëri, kanë si kosto në total 5.3 milionë euro. Thënë ndryshe, kosto për kilometër e kësaj lloj rruge është 2.2 milionë euro”, thuhet në deklaratë.

Më tej nënvizohet se 4.68 kilometra rrugë Kategoria F kanë si kosto 3 milionë euro ose thënë ndryshe 646 mijë euro për kilometër. E gjithë pjesa e zërit të rrugëve në këtë vepër, përfshirë elementët plotësues është sa 25% e totalit të kostos së projektit.

Në vijim thuhet se në një kohë kur opozita pretendon në mënyrë të qëllimshme e spekulative se një kilometër rrugë shkon nga 18-20 milionë euro, e vërteta është krejt tjetër sepse 7.02 kilometra kanë si kosto totale 8.3 milionë euro.

Po ashtu nënvizohet se pjesa tjetër e kostos shkon për nyjen e madhe të Sheshit Shqiponja dhe katër nënkalime dhe mbikalime të tjera që do të ndërtohen në këtë segment. /a.y/noa.al